Mungesa e praktikës gjatë studimeve po i ndëshkon të diplomuarit në tregun e punës

Interesimi për t’u regjistruar në arsimin e lartë në Kosovë është shumëfishuar në dekadën e fundit. Kjo dëshmohet me faktin se mbi 11 mijë studentë diplomojnë brenda viti.
Por, shqetësim mbetet gjetja e një vendi të punës.
Syzanë Bunjaku është një nga ish-studentet e UP-së e cila ka studiuar në degën e Gazetarisë dhe Ekonomisë. Ajo në një intervistë për emisionin “Ekonomia me Erëzën” të transmetuar në KTV, ka thënë se mungesa e praktikës gjatë studimeve, ka bërë që të ketë vështirësi në tregun e punës, duke vënë në pikëpyetje se çka po prodhon UP-ja.
“Pikërisht është mungesa e praktikës gjatë tri viteve universitare arsyeja pse ne kemi vështirësi që të futemi në treg të punës. Duke e parë se tregu i punës këtu tek ne është i kufizuar, kjo na bën të ndihemi të papërgatitur nga ana praktike dhe të pyesim çka po prodhon UP-ja. E që në të vërtetë po krijojnë letra”, është shprehur Bunjaku, raporton Koha.net.
Ndërsa, njohësi i arsimit, Dukagjin Pupovci theksoi faktin se përpos përgatitjes praktike në UP, mungon edhe ana teorike.

Lexo edheSkedina e çmendur e shqiptarit, fut në ‘gropë’ kompaninë e basteve me milionat e fituara
“Problemi është te përgatitja teorike, por edhe të puna praktike, dhe në arsimin publik kjo është pasojë e një përpjesëtimi të pavolitshëm në mes numrit të studentëve me atë të mësimdhënësve”, tha Pupovci.
Ata që vuajnë pasojat e mungesës së kuadrove, janë punëdhënësit. Alba Krasniqi nga “Trepharm”, ka deklaruar se i duhet t’i trajnojë punëtorët e rinj, për shkak të mungesës së anës praktike.
“Duke pasur parasysh që “Trepharm” vazhdimisht ka nevojë për kuadro të reja, ne organizojmë trajnime 3 mujore, kjo pasi që studentët vijnë të papërgatitur nga ana teorike”, deklaroi Krasniqi.














