Muhaxheri: Abdixhiku deshi të jepte dorëheqje pas zgjedhjeve, i thashë ta mendojë edhe një ditë

Kryetari i Komunës së Pejës dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka zbuluar se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, kishte shprehur gatishmëri për të dhënë dorëheqje menjëherë pas rezultateve zgjedhore, por se ai e kishte këshilluar ta shtynte vendimin.
Në një intervistë në T7, Muhaxheri tha se Abdixhiku e kishte telefonuar personalisht për t’ia bërë të ditur vendimin.
“Rezultati ka qenë i dobët, pas rezultateve më ka thirrë, më ka thënë ‘po du me jap dorëheqje’, para se me komuniku me publikun. I kam thënë: ‘Kryetar, nuk është mirë për LDK-në, le mendoje nesër këtë punë’… Ka dalë dhe e ka ofru dorëheqjen”, ka deklaruar Muhaxheri.
Ai tha se bashkë me kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, i kishin kërkuar Abdixhikut të mos largohej i vetëm nga drejtimi i partisë.
“Unë dhe Imri Ahmeti i kemi thënë: ‘Kryetar, u bo çka u bo, po shkojmë bashkë, nuk po të lajmë vetë me jap dorëheqje’. Ka qenë i bindur që vendi nuk shkon në zgjedhje të qershorit. I kam thënë: ‘Me ty nuk mundemi me shku se e ke rezultatin e keq’. Tha: ‘E qesim Hykmeten për kryeministre’. Pastaj u çel opsioni tjetër me ardhë Vjosa në parti”, ka thënë ai.

Lexo edhe“Nuk do lejojmë pazare”, Ymeri pas audioincizimit ku ofrohen favore delegatëve për votën në Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së
Muhaxheri foli edhe për mbështetjen që i ishte dhënë Abdixhikut kur u zgjodh në krye të LDK-së, duke thënë se ai kishte pasur mbështetje të plotë brenda partisë.
“E kemi mbështet një opsion, në të cilin është mendu që duhet me zgjedhë një djalë të ri, të dijshëm, të pashëm, i cili ka me i pri LDK-së në proceset e ardhshme. Vetë kam qenë përkrahësi i kësaj iniciative”, u shpreh ai.
Ai shtoi se pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, Abdixhiku kishte marrë vendimin që LDK të mos bashkëpunonte as me pozitën dhe as me opozitën.
“Ka thënë as me pozitën, as me opozitën. Ka qenë përgjegjësi e tij”, deklaroi Muhaxheri në T7.














