Analisti politik, Shenoll Muharremi ka shkruar pas rezultateve të balotazhit të zgjedhjeve lokale, për çka ka thënë se nuk kanë sjell ndryshime dhe se shumica e kryetarëve e kanë vazhduar mandatin.
Ai ka thënë se rrotacionet demokratike të që nuk imponohen nga jashtë janë pozitive dhe mund t’i sjellin dobi vendit dhe qytetarëve, si dhe më shumë garë e përkushtim në të ardhmen.
“Kemi parë disa trende ku shumica e komunave e kanë ruajtur pushtetin ekzistues, qytetarët nuk kanë preferuar ndryshime në nivel lokal dhe janë treguar më konservatore. Sidomos garat kanë qenë të mira në Prizren dhe Gjakovë. Në Podujevë, Ferizaj, Pejë, Gjilan e Prishtinë nuk ka pasur ndryshime. Në disa komuna ku kanë ndodhur ndryshime, si psh në Mitrovicë, Fushë Kosovë dhe Obiliq, ku ka fituar LVV, kemi parë një trend ku pushteti është ruajtur dhe mirëmbajtur me pothuajse të njëjtën fuqi të votave si më herët nga partitë në pushtet (LDK, PDK), por LVV ka fituar duke marrë “vota shtesë””, ka shkruar Muharremaj.
Ai ka thënë se ky duket të jetë trend i balancimit të VV-së në nivel nacional dhe lokal, ku po vazhdon rënia dhe po korrigjohet e tkurret në nivel nacional ndërsa po konsolidohet e rritet në nivel lokal, dhe po bëhet më e barabartë me partitë e tjera.
Sipas Muharremit, VV është në tranzicion, ku po kërkon të gjej nivelin e saj real apo mesataren mes nivelit nacional dhe lokal nga ekstremitetet ku gjendet vitet e fundit.
Ai ka thënë se duhet studiuar më shumë se si i ka rritur votat Vetëvendosje në tri komunat që i ka fituar në këto zgjedhje lokale, shkruan lajmi.net.
“Psh në Fushë Kosovë dhe Obiliq ka përdorur punësimet, pra ka abuzuar me pushtetin qendror duke mos krijuar mundësi të barabarta, por duke punësuar militantët e vet dhe të tjerët në këmbim të votës. Një formë klientelizmi që e kemi parë edhe më herët në Kosovë, por që nuk e kemi paramenduar se LVV do ta aplikonte pas premtimeve krejt ndryshe që ka dhënë për dy dekada. Gjithashtu, në rastin e Mitrovicës, ka përdorur të gjithë pushtetin qendror prej ndërtimit të urave me para publike e pa ndonjë planifikim të duhur, e deri te pjesëmarrja e jashtëzakonshme e kryeministrit në detyrë atje me xhipa e bodigarda deri tri herë në ditë përfshi ditën e zgjedhjeve, duke ushtruar kështu një presion të jashtëzakonshëm mbi votuesit, siç nuk është parë asnjëherë më herët në Kosovë. Me siguri që këto zgjedhje janë karakterizuar gjithashtu nga dhjetëra portale të reja pa adresa, që kanë bërë vazhdimisht propagandë, dezinformata dhe lajme të rreme gjë që për qytetarët lokalë ka qenë e pamundur ta dallojnë lajmin e vërtetë nga propaganda, për shkak të mungesës së edukimit mediatik”, ka shkruar Muharremi.
Ai ka thënë se nuk ka pas shumë ndryshime të rezultatit në këto zgjedhje, PDK dhe LDK kanë humbur disa komuna ndërsa VV ka fituar tri të reja dhe AAK e ka ruajtur standardin e vet.
“Zgjedhjet kanë qenë të mira në përgjithësi, dhe KQZ ka bërë punë shumë të mirë përveç në disa raste specifike ku ka nevojë për përmirësim. Problemi kryesor mbetet abuzimi me pushtetin qendror për të ndikuar në zgjedhje, sjellja arrogante dhe ndikimi direkt i kryeministrit në detyrë në Mitrovicë, si dhe lufta me lajmet e rreme e dezinformatat përmes portaleve fiktive”, ka thënë Muharremi. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: