MPJ e Shqipërisë reagon për gërmimet në Kalludër: Qëndrojmë përkrah Kosovës

Teksa në fshatin Kalludër të Zubin Potokut po vazhdojnë gërmimet në një lokacion ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka shprehur mbështetjen për përpjekjet në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, vendosjen e drejtësisë dhe ruajtjen e së vërtetës historike.
Përmes një postimi në platformën X, kjo ministri theksoi se plagët e luftës në Kosovë mbeten ende të hapura.
“Zbulimi i një varreze tjetër masive në Kalludër të Kosovës është një kujtesë e dhimbshme se plagët e luftës në Kosovë mbeten ende të hapura. Çdo zbulim i tillë nuk është vetëm një hap drejt identifikimit të viktimave, por edhe një dëshmi që flet vetë. Mbetjet mortore të zbuluara janë një kujtesë e qartë e krimeve të kryera dhe e domosdoshmërisë që e vërteta dhe përgjegjësia të pranohen, ndërsa drejtësia të vihet në vend”, thuhet në postim.

Lexo edheHyseni: Nuk ka asnjë mundësi që kontrollet e bizneseve të bëhen me porosi – duhet analizë paraprake e riskut
Ministria theksoi se për familjet që kanë pritur për më shumë se dy dekada të mësojnë fatin e të dashurve të tyre, “çdo identifikim është një hap drejt dinjitetit, së vërtetës dhe drejtësisë”.
“Shqipëria qëndron përkrah Kosovës në përpjekjet për të zbardhur fatin e personave të zhdukur, për të vendosur drejtësinë dhe për të ruajtur të vërtetën historike. Pa të vërtetën, nuk mund të ketë pajtim të qëndrueshëm”, përfundon reagimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.














