Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian dhe njëherësh ndërmjetësuesja në bisedimet Kosovë- Serbi, Federica Mogherini javën e ardhshme do ta vizitojë Kosovën, pikërisht në një kohë kur vendi akoma nuk ka arritur t’i zgjidh disa çështje shumë me rendësi, si ajo Demarkacionit dhe Asociacionit.
Se a do të ndikojë vizita e Moghernit në përshpejtimin e vendosjes se demarkimit të kufirit me Malin e Zi tregojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Nga opozita shprehen të shqetësuar rreth kësaj vizite.
Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për Gazetën Blic shprehet mjaft e shqetësuar rreth kësaj vizite, që sipas deputetes qeveria po mundohet përmes përfaqësuesve te Bashkimit Evropian t’i bind deputetët të votojnë demarkacionin.
“ Isa Mustafa po i shantazhon deputetet që ta votojnë demarkacionin dhe po bën presion të vazhdueshëm mbi ta, por pavarësisht kësaj ata deputetë shpresoj që nuk do të ndryshojnë”, u shpreh Kadrijaj
Tutje Kadrijaj kujton se qëndrojnë fuqishëm kundër demarkacionit.
“Ne e kemi bërë të qartë në të gjitha vizitat tona zyrtare në Berlin, e Bruksel se puna e demarkimit të kufirit nuk do të kalojë”, tha Kadriaj për Gazeta Blic.
E, që deputetët duhet të jenë të pavarur në vendimmarrje, dhe të mos ndikohen nga askush e thotë edhe sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi.
“Zonja Mogherini si përfaqësuese e Bashkimit Evropian, por edhe përfaqësues tjerë, kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre për shumë zhvillime në Kosovë. Në këtë kontekst edhe për versionin aktual të demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Mirëpo këtë vendim pa ndërhyrje, shantazhe apo kërcënime duhet ta marrin ekskluzivisht vetëm deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha Sherifi për Gazeta Blic.
Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian pritet të arrijë në Kosovë me 3 Mars.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se shumë shpejt do ta riprocedoj në Kuvend çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Presion që kjo çështje të procedohet po bën edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Në anën tjetër, opozita ka paralajmëruar se nuk do të lejoj që assesi kjo marrëveshje të kaloj në Kuvend.
Për më tepër, Gazeta Blic ka raportuar se koalicioni nuk i ka votat që ta kaloj këtë marrëveshje, e cila sipas ekspertëve të pavarur, Kosovës ia humb hiq më pak se 8 mijë hektarë./ Gazeta Blic