Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se sot, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, bashkë me Komisionin Ad Hoc të MINT-it, kanë vijuar aksionin për verifikimin e njehësorëve elektrikë për konsumatorët të cilët kanë paraqitur ankesa.
Siç ka njoftuar MINT, gjatë këtij aksioni, janë identifikuar raste të devijimeve në orë dhe datë në disa njehësorë elektrikë, dhe njehësorët ku janë konstatuar këto parregullsi janë tërhequr dhe janë dërguar për ekzaminim të mëtejshëm në laboratorët e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës.
Ndërkohë, për njehësorët me afat të skaduar të vlefshmërisë, janë iniciuar dy procedura të gjobitjes ndaj operatorit KEDS, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Aksioni i sotëm është zhvilluar në rajonin e Prishtinës dhe Ferizajt, ndërsa në ditët në vijim, bazuar në planin operacional dhe në ankesat e konsumatorëve, verifikime të tilla do të shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. MINTI fton të gjithë qytetarët që të raportojnë çdo parregullsi të mundshme lidhur me njehësorët elektrikë, përmes: * numrit të telefonit: +383 (0) 46 311-000 (Viber) * adresës elektronike: [email protected]”, ka njoftuar MINT. /Lajmi.net/