Ministria e Shëndetësisë planifikon të paguaj 300% më shtrenjtë barnat kundër kancerit
Ministria e Shëndetësisë (MSH) e ka rekomanduar nënshkrimin e kontratës me kompaninë fituese për furnizim me tableta “Imatinib”, që përdoren për trajtimin e leukemisë, me çmim prej 300 për qind më të shtrenjtë se çmimi me pakicë në tregun farmaceutik
Ministria e Shëndetësisë po planifikon që t’i blejë barnat që përdoren për trajtimin e të sëmurëve me leukemi 300 për qind më shtrenjtë sesa vlera e tyre në tregun farmaceutik me pakicë në Kosovë.
Bëhet fjalë për përfundimin e procedurave tenderuese për furnizim me tableta “Imatinib”, i cili bari, përpos që përdoret për mjekimin e leukemisë kronike, shfrytëzohet edhe për mjekimin e tumoreve malinje në lukth, me ç’rast Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka rekomanduar për nënshkrim të kontratës kompaninë “Redoni HM”, ku vlera e tenderit arrin në rreth 650 mijë euro.
Ministria e Shëndetësisë, e cila udhëhiqet nga Uran Ismaili, pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë e rekomanduar, pritet t’i paguajë 24 euro për një tabletë të tillë, ndonëse, sipas një hulumtimi të gazetës “Zëri”, barnat e tilla në barnatoret e kryeqytetit shiten për 7.5 euro, apo 16.5 euro më lirë se ato që do t’i blejë me shumicë ky dikaster qeveritar.
Lexo edheVdes djali i komandantit të njohur të UÇK-së
Gazeta “Zëri” ka vizituar një barnatore në Prishtinë, ku drejtuesit e saj që nuk kanë preferuar të flasin me emër kanë thënë se 30 tableta “Imatinib” i shesin 280 euro, apo 9.30 euro mesatarisht një tabletë.
Përderisa nga një barnatore në një qytet tjetër të Kosovës i ka blerë 30 tableta të tilla me një çmim prej 225 eurosh.
Për dallim nga Kosova, tabletat e njëjta në rajon shiten edhe më lirë. Në Shqipëri një tabletë e tillë shitet për më pak se 1 euro, derisa në Maqedoni dhe në Bosnjë shiten për 1.40 euro.














