Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) ka njoftuar hapjen e periudhës së aplikimit për pagesa direkte dhe subvencione, që do të mundësojnë zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe forcimin e kapaciteteve të mbi 30,000 fermerëve. Ky program mbështet zhvillimin e sektorëve të bujqësisë, duke siguruar mundësi financiare për përmirësimin e prodhimit dhe infrastrukturës në këtë fushë.
Afati për aplikim për subvencionet e Programit të Pagesave Direkte 2025 fillon nga sot dhe përfundon më 02 maj 2025, në orën 16:00, duke ofruar një periudhë prej 30 ditësh për aplikantët.
Në kuadër të programit, fermerët do të kenë mundësinë të përfitojnë nga përdorimi i ortofotove më të fundit të vitit 2024, që do të ndihmojnë në digjitalizimin e parcelave dhe në përmirësimin e kontrollit në terren. Ky zhvillim do të lehtësojë procesin e aplikimit për subvencione dhe do të sigurojë një pasqyrë më të saktë të gjendjes në terren.
Për më shumë informacion lidhur me procedurat e aplikimit, kriteret e vlerësimit dhe informacionet e tjera të nevojshme, fermerët dhe aplikuesit mund të konsultohen me uebfaqet zyrtare të MBPZhR-së www.mbpzhr.rks-gov.net dhe të AZhB-së https://azhb-rks.net/sq/thirrje-per-aplikim, si dhe të drejtohen në Drejtoritë Komunale për Bujqësi.
Aplikimi bëhet në Drejtorinë e Bujqësisë në objektin e Komunës së Skenderajt, kati 1. Për të aplikuar, është e nevojshme që fermerët të paraqesin dokumentet e kërkuara dhe të plotësojnë formularët përkatës.
Për më shumë informacion dhe detaje rreth kushteve dhe procedurave, mund të drejtoheni në Drejtorinë e Bujqësisë, ku stafi është i gatshëm të ofrojë ndihmën e nevojshme.