Ministri i Jashtëm i Zvicrës sot në Kosovë, kë do të takojë dhe cilat tema do të diskutohen?

Ministri i Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis, do të qëndrojë sot në Kosovë, në kuadër të një vizite zyrtare në tri shtete të Ballkanit Perëndimor, e cila po zhvillohet nga 4 deri më 6 nëntor.
Sipas Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, vizita ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, mbështetjen e integrimit evropian dhe promovimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Cassis pritet të zhvillojë takime me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Në mesin e çështjeve që pritet të diskutohen është marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, e arritur në kuadër të Asociacionit Evropian të Tregtisë së Lirë (EFTA), e cila tashmë ka hyrë në fuqi.
Po ashtu, në agjendë pritet të jetë edhe mbështetja e Zvicrës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë vizitës, ministri zviceran do të takohet edhe me përfaqësues të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, ku Zvicra kontribuon që nga viti 1999 përmes kontingjentit të saj SWISSCOY.

Lexo edheArifi: Nuk pres asgjë nga Strategjia Shtetërore për apelin në Hagë, Ligji nuk besoj që kthehet në miratim
Cassis, i cili aktualisht kryeson Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), do të vizitojë edhe misionet e kësaj organizate në Kosovë, për t’u njohur nga afër me punën dhe sfidat e tyre në terren.
Autoritetet zvicerane kanë vlerësuar se kjo vizitë riafirmon lidhjet e ngushta ndërmjet Zvicrës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë forcuar ndër vite edhe falë diasporës së madhe nga ky rajon që jeton në Zvicër.
Në takimet e parapara pritet të theksohet gjithashtu rëndësia e dialogut, trajtimit të së kaluarës, si dhe garantimit të të drejtave dhe mbrojtjes së të gjitha komuniteteve në rajon. /Lajmi.net/












