Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) e ka zgjedhur një anëtar të Nismës Socialdemokrate për koordinator të projektit ESIP (hua) 11 milionë dollarësh, të cilin MASHT-i e ka marrë më parë nga Banka Botërore, shkruan sot Koha Ditore.
Projekti ESIP ka për qëllim përmirësimin e sistemit arsimor në Kosovë. Projekti që nga muaji shkurt nuk ka pasur koordinator, por vetëm ushtrues detyre. Dy muaj më parë Ministria pati hapur konkurs për plotësimin e kësaj pozite, ku i gjithë procesi është udhëhequr nga MASHT-i dhe është aprovuar hap pas hapi nga BB.
I zgjedhuri në këtë pozitë, IIir Rexhepi, më 27 shkurt të këtij viti i është bashkuar Nismës Socialdemokrate, partisë së ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.
Rexhepi aktualisht mban postin e anëtarët të Bordit të ujësjellësit “Prishtina” dhe njëkohësisht është ligjërues në kolegjin AAB. Që nga java e kaluar ai zyrtarisht e ka marrë postin edhe të koordinatorit të projektit ESIP të Bankës Botërore.