Ministri i ri i Drejtësisë në vend, Abelard Tahiri ka theksuar se shumë shpejtë do të fillojë puna e gjyqtarëve të Kosovës në veri të Mitrovicës.
Sipas tij me këtë do të zbatohet e gjithë Marrëeshja e Brukselit për Drejtësi.
Tahiri ka cilësuar se një prej sfidave më të mëdha pas shpalljes së pavarësisë në vend, ishte shtrirja e sovranitetit dhe integrimi në kuptimin e plotë të fjalës, veçmas në veri të vendit, transmeton Indeksonline.
Ministri Tahiri ka shtuar po ashtu se tani e tutje, qytetarët e Kosovës brenda tërësisë territorial të saj, do të ballafaqohen me një sistem unik të drejtësisë.
Ky është postimi i plotë:
Një prej sfidave më të mëdha pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte shtrirja e sovranitetit dhe integrimi në kuptimin e plotë të fjalës, veçmas në veri të vendit. Është punuar shumë në këtë drejtim, po aq sa është punuar shumë që shoqëria shumetnike e Kosovës të ndërtojë një konsensus për të ecur bashkërisht përpara.
Sot, situata po ndryshon konkretisht. Shumë shpejt do të zbatohet Marrëveshja e Brukselit për Drejtësi, që krahas Policisë dhe Prokurorisë, edhe gjyqtarët të fillojnë punën e tyre në gjykatat në veri të vendit, që qytetarët e Kosovës pa dallim, të kenë qasje në sistemin e drejtësisë sipas ligjeve dhe rendit juridik të Republikës së Kosovës.
Zbatimi i kësaj marrëveshje është hap shumë i rëndësishëm që shkëputë përfundimisht çdo ndikim të jashtëm në sistemin juridik të vendit dhe si i tillë, është lajm i madh për institucionet, qytetarët dhe të ardhmen tonë të sigurt drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Tani e tutje, qytetarët e Kosovës brenda tërësisë territoriale të saj, do të ballafaqohen me një sistem unik të drejtësisë të bazuar në një Kushtetutë të vetme, Kushtetutën e Republikës së Kosovës.