Një marrëveshje shumë e rëndësishme është arritur gjatë ditës së sotme, ku njëherit është edhe e para në Kosovë, në arsimin dual. Përfitues të kësaj marrëveshje janë nxënësit e shkollës profesionale Qendra e Kompetencës në Skenderaj, ku sot nënshkruan kontratat 16 nxënës, të cilët do të paguhen nga 300 euro pagë mujore nga Kompania R & Rukolli në kryerjen e praktikës profesionale, që është kusht nga kjo shkollë për nxënësit e saj. Prezent në nënshkrimin e kontratave ishin dy ministret e Qeverisë Kurti, Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Rozeta Hajdari, Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, drejtori i arsimit në Skenderaj, Kastriot Duraku, drejtoresha e zhvillimit ekonomik në Skenderaj, Besarta Meha, drejtoriesha e Agjencionit të Arsimit Profesional, Fikrije Zymberi, drejtori i shkollës profesionale, Armend Bajraktari, përfaqësuesi i kompanisë “R&Rukolli”,Rrustem Rukolli, përfaqësuesit e fondacionit “Besa” dhe përfaqësues tjera nga ministritë përkatëse e komunale, shkruan Drenica Press.
I pari i Skenderajt, Fadil Nura e ka përshëndetur nënshkrimin e kontratave, duke e quajtur rast të mirë për nxënësit, të cilët do të kenë mundësinë e punësimit më afatgjatë pas periudhës së praktikës. “Një mundësi e mirë e punësimit afatgjatë për këta nxënës, pas periudhës së praktikës, dhe një kontribut i vogël që të pengohet ikja e të rinjve nga vendi”, ka thënë kryetari i Komunës së Skenderajt.