Logo
← Back

Mergim Lushtaku tregon tri arsye pse Kosovës i duhej ratifikimi i demarkacionit

By BILLI

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për votimin e demarkacionit në Kuvendin e Kosovës.

Ai në profilin e tij në Facebook ka renditur edhe tri arsye pse ky ratifikim i duhej Kosovës.

Postimi i deputetit Lushtaku:

Sot, pas gazit lotsjellës dhe këmbënguljes së deputetëve të vendosur në anën tjetër, votuam pro ratifikimit, kalimit të Ligjit për Demarkacionin e kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. I uroj të gjithë qytetarët e Kosovës me këtë rast për shumë arsye:

E para, që si klasë politike përfunduam sagën dhe zhurmën gati tri vjeçare të Demarkacionit, e cila gati tërë fokusin dhe energjinë na e ka marrë si temë.

E dyta, me kalimin e kësaj nyje, pasi i tërë korpusi politik në Kosovë pati hyrë në një ngërç të keq, më në fund tregon se lidershipi politik në Kosovë, për interesa të vendit arrin të negociojë për të arritur konsensus në të mirë të qytetarëve. Kjo shënon një hap të mirë se përmes dialogut politik arrijmë t’i tejkalojmë flamujt partiak kur është në pyetje forcimi i shtetit tonë.

E treta, Demarkacioni si një temë (detyrë) që kemi pasur për obligim ta kalojmë edhe në raport me aleatët dhe miqtë tonë ndërkombëtarë tregon seriozitetin dhe partneritetin tonë si shtet i Kosovës dhe orientimin tonë drejt rrugës euro-atlantike. Kalimi i sotëm i Demarkacionit është edhe një fakt se ne jemi përcaktuar të vazhdojmë rrugën dhe plotësimin e kritereve që na vihen si detyra nga Bashkimi Evropian që në fazën finale ne të integrohemi plotësisht në gjirin e BE-së.

Na presin detyra e obligime tjera, me të tjera sfida do të përballemi por shpresoj që do t’i kalojmë me maturi e korrektësi.

Edhe njëherë urime për të gjithë qytetarët. Zgjidhja e nyjës së Demarkacionit na ka hapur rrugë që atë energji e fokus tashmë ta orientojmë në punë tjera dhe ta zbusim kohën të cilën e ka humbur Kosova.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!

Related Posts