Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, ka komentuat “retorikën e paqëndrueshme” të presidentit amerikan Donald Trump për Rusinë dhe ndihmën ushtarake për Ukrainën, duke deklaruar se Moska do të vazhdojë ndjekjen e objektivave të saj ushtarake, pavarësisht politikave të Uashingtonit.
“Amerikani po lëkundet sërish në luhatjen e tij të preferuar politike,” ka shkruar Medvedev pa përmendur emrin e Trumpit.
Tutje sipas The Moskow Times, ai ka ironizuar me ndryshimin e qëndrimeve të Trump në lidhje me dërgesat ushtarake për Ukrainën dhe tonin e tij ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke përmendur deklaratat kontradiktore të Trump që nga “biseda të mira” me Putinin, deri te pohimi i fundit se ishte “shumë i pakënaqur” pas telefonatës së tyre të fundit.
“Si duhet të reagojmë ndaj kësaj? Ashtu si gjithmonë. Ashtu si bëjnë ushtarët tanë. Ashtu si bën komandanti ynë i përgjithshëm. Nuk do të reagojmë,” ka thënë Medvedev, i cili ka shërbyer si president i Rusisë në vitet 2008–2012.
“Do të vazhdojmë ndjekjen e objektivave të operacionit tonë special ushtarak. Do ta marrim tokën tonë mbrapsht. Do të punojmë për fitoren,” ka përfunduar ai.