Mediat serbe: 70 “terroristë” shqiptarë po presin urdhrin e Hashim Thaçit për tu futur në veri
Mediat serbe, edhe gjatë ditës së sotme janë zgjuar duke shkruar për “rrezikun” që u vjen serbëve në Kosovë, nga institucionet e Kosovës gjegjësisht nga shqiptarët në Kosovë.
Plani i përgjakshëm i Hashim Thaçit: 70 terroristë shqiptarë presin shenjë për të sulmuar në veri të Kosovës”.
Kështu e titullon një shkrim të ditës së sotme, portali serb “srbija danas”, përcjell Telegrafi, sipas të cilit,
në mesin e tyre më së shumti ka “terroristë që luftuan për një shtet islamik, por edhe ish-luftëtarë të UÇK-së”.
“Midis 50 dhe 70 terroristë shqiptarë të gatshëm në çdo moment për të sulmuar në veri të Kosovës, në qoftë se ata marrin një urdhër nga institucionet e Prishtinës, zbulohet nga strukturat e sigurisë dhe inteligjencës”.
Në këtë drejtim, supozon ky medium, më të rrezikuarat do të ishin serbët nga katër komuna.
Lexo edheAl Jazeera shkruan se UÇK-ja ka bërë krime
“Më të rrezikuar janë serbë nga Zubin Potoku, Leposaviqi, Zveçani dhe pjesa veriore e Mitrovicës. Situata është e tillë që është e mjaftueshme vetëm një shkëndijë që gjithçka të arrijë kulmin. Për disa prej këtyre terroristëve, shërbimet tona disponojnë edhe fotografi, shpjegon burimi anonim”, shkruan ky medium.
E kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun ka thënë se situata është delikate.
“Kur ata dërguan një njësi speciale në veri të Kosovës për shkak të trenit, gjithçka u ndërlikua. Dhe këtu ekziston një kërcënim për sigurinë. Por unë mendoj se për ta do të ishte politikisht e rrezikshme për të nisur disa sulme masive kundër popullit serb. Nuk mendoj se ata janë të gatshëm që seriozisht të përpiqen për të hyrë me forcë në veriun e Kosovës”, citohet të ketë thënë. /Telegrafi/














