BallinaOpinioneMë vie keq, më vie…

Më vie keq, më vie…

Editorial nga Syri.net

Më vie keq, më vie… Në fakt këtyre nuk u vjen keq fare. Asnjëherë nuk u ka ardhur. As kur zotoheshin se do ta ç’kapnin shtetin, do ta zbatonin ligjin, do ta respektonin meritokracinë, do të përmirësonin ambientin biznesor, do ta zhvillonin arsimin, shëndetësinë, do ta lulëzonin Kosovën.

Keqardhja, është fjalë e huaj në fjalorin e politikanëve kosovarë. Atyre eventualisht mund t’u vijë keq, nëse nuk palojnë miliona sa duhet ose nëse ndonjëri nga rivalët partiakë, është më i kamur se ky tjetri. Për të tjerat, mërzia nuk u shfaqet kurrë.

Pushteti, jo vetëm i ka bërë arrogantë, por ua ka nxjerrë të gjitha ligësitë e mundshme në pah. Gafa e njërit nga armata e ministrave sharlatanë, është qershia mbi tortën e skandaleve. Kuptohet, e helmuar deri në fund.

Por, skandali nuk është thjesht fyerja që i bëhet një ambasadori të një shteti mbështetës të Kosovës, siç është Zvicra.

Skandali i madh është solidariteti pushtetar, në mbrojtje të një qeveritari të papërgjegjshëm.

Doktor Pali, nuk ka folur vetëm me gojën e tij. Kështu mendon partia, lideri, qeveria. Dhe ai e lëshon fjalën si “lopa baglën”. Ashtu siç bëjnë në secilën vendimmarrje.

Pushteti për ta, nënkupton sundim, ofendim, injorim. Kur i pyet se pse po punësojnë familjarët, militantët, pameritueshëm, jo vetëm që nuk e mohojnë por zotohen se po të munden, të gjithë i rehatojnë në Telekom!

Ambasadori zviceran, na rikujtoi njërin nga skandalet më të mëdha në Kosovën e pasluftës.

Afera e veteranëve, ka përfunduar në prokurori, ndërsa një prokuror u largua nga vendi për shkak të presionit.

Mijëra “veteranë” të rrejshëm, përfitojnë paligjshëm nga fondet publike. E vërteta kjo është. Nuk na ka faj një diplomat, as të tjerët, vendet e të cilëve kanë dhënë miliarda për Republikën, ku zhvatja, është bërë lajtmotivi qeveritar.

Së paku kërkim-falja do duhej të pasonte pas një rrëshqitjeje të tillë të një zyrtari të lartë kosovar. Më vie keq, më vie….Kaq ka mundur të thotë doktor Pali.