Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, të premten e 8 gushtit pritet të mbahet seanca dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes për pranim të fajësisë të arritur mes të akuzuarit Igor Popoviq dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut . Ndaj tij, PSRK-ja më 5 gusht ngriti aktakuzë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, për fjalimin kundër UÇK-së.
Datën e seancës e konfirmoi, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila tha se seanca pritet të fillojë nga ora 10:00 me gjykatës, Kujtim Krasniqin.
PRSK-ja njoftoi të martën se ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë akakuzën ndaj Popoviqit dhe bashkë me të është dorëzuar edhe marrëveshja për pranim fajësie.
Sipas PSRK-së, Popoviq akuzohet se me dashje dhe me qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, më datë 18 korrik 2025, rreth orës 12:00, në Rahovec.
“Sipas aktakuzës, I.P. ka mbajtur një fjalim publik, me të cilin i është drejtuar një mase të gjerë qytetarësh, ku ndër të tjera ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse, duke thënë: “…Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste”, dhe më pas ka vazhduar të bëjë thirrje drejtuar qytetarëve, duke deklaruar: “Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe…” , thuhet në njoftim.
Me këto veprime, Popoviq akuzohet se ka nxitur dhe thelluar mosbesimin dhe mosdurimin ndaj diversitetit etnik në Kosovë, si dhe ka cenuar bashkëjetesën ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
Prokuroria njofton se i akuzuari ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.
“Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, njofton PSRK.