Burim Berisha nuk do të kandidojë më për kryetar të Fushë-Kosovës, nga radhët e LDK-së.
Në vend të tij, LDK-ja në Fushë-Kosovë do të përfaqësohet nga Besnik Osmani. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, shkruan IndeksOnline.
“Ka një emocion të veçantë kur një epokë e gjatë e suksesshme mbyllet me dinjitet, dhe një kapitull i ri hapet me shpresë. Kështu ndodhi sot në Fushë-Kosovë. Po e mbyllim një epokë të tërë me një ikonë fitoresh për LDK-në, Burim Berishën, për të nisur një të re, me një profesionist të jashtëzakonshëm të Lidhjes Besnik Osmanin” shkroi Abdixhiku.
Osmanin, Abdixhiku e ka përshkruar si një njeri të përkushtuar, të matur, me përvojë konkrete në qeverisje dhe me vizion të qartë për të ardhmen.
Ky është njoftimi i plotë:
Nga një fitues tek tjetri.
Nga Burim Berisha tek Besnik Osmani.
Ka një emocion të veçantë kur një epokë e gjatë e suksesshme mbyllet me dinjitet, dhe një kapitull i ri hapet me shpresë. Kështu ndodhi sot në Fushë Kosovë. Po e mbyllim një epokë të tërë me një ikonë fitoresh për LDK-në, Burim Berishën, për të nisur një të re, me një profesionist të jashtëzakonshëm të Lidhjes Besnik Osmanin.
Me mirënjohje të thellë, falënderojmë Burim Berishën – njeriun që për 25 vjet, me 5 mandate si i zgjedhur, i dha kësaj komune një drejtim të qetë, vizionar e të përgjegjshëm. Nga një paralagje, qytezë fushash, ai transformoj Fushë Kosovën në qytetin me ritmin më të lartë zhvillimor në Kosovë. Prandaj Fushë Kosova sot është shtëpi e plot 70 mijë banorëve.
Ai nuk ndërtoi vetëm rrugë e shkolla – ai ndërtoi besim, respekt dhe kulturë të shërbimit publik. Sot, me aktin kalimit të stafetës tek gjenerata tjetër, Burimi dëshmoi edhe një herë madhështinë e karakterit të tij – duke dhënë shembullin më të mirë të lidershipit me maturi, pa zhurmë e me shumë përkushtim.
Por historia e mirë e LDK-së në Fushë Kosovë nuk përfundon këtu. Përkundrazi – vazhdon. Sot, me besim të plotë dhe krenari, shpallëm kandidaturën e Besnik Osmanit për Kryetar të Komunës. Ai është vazhdimësia jonë – një njeri i përkushtuar, i matur, me përvojë konkrete në qeverisje dhe vizion të qartë për të ardhmen.
LDK në Fushë Kosovë nuk është vetëm parti – është familje. Dhe kjo familje sot dha një dëshmi të rrallë bashkimi dhe kalimi të përgjegjësisë, nga një fitues – te një tjetër.
Faleminderit Burim. Suksese Besnik.
Le të fitojmë!