Ora 20:00 ka shënuar mbylljen e afatit zyrtar të votimit për zgjedhjet lokale në komunën e Tuzit në Mal të Zi. Procesi në rajonin me shumicë shqiptare nisi në orën 7 të mëngjesit ku të drejtë votimi kishin 11900 banorë. Pjesmarrja në votime ka qenë rreth 64%.

Gjatë ditës nuk kanë munguar dhe tentativat e blerjes së votës. Në një video të siguruar nga Ora News një person i komunitetit rom thotë se i kanë ofruar 50 euro për të votuar kandidatin e partisë së Gjukanoviç.

Autori i videos është Liridon Vulaj, zëvendësanëtar në Komisionin e Votimit.

Ai tha se regjistrimin e ka kryer me kamera të fshehtë pas konstatoi se disa familjarëve rom po u ofroheshin para në këmbim të votës.

” Ai pranoi se ka marrë 50 euro jo vetëm ai por gjithë familja”.

Sipas Vulaj ata që po ofronin para për votën ishin përfaqësues politik, të cilët e kërcënuan.

“Në atë moment mu drejtua një funksionar i lartë i Partisë Demokratike Socialiste që vepron këtu në Tuz me fjalë kërcënuese dhe kishim një konflikt verbal”.

Ditë historike në Tuz, shqiptarët e bashkuar drejt fitores së komunës

Kjo e dielë po shihet si një ditë historike për shqiptarët e komunës së Tuzit në Mal të Zi, të cilët për herë të parë pas 62 viteve u jepet mundësia të qeverisin të pavarur nga Podgorica zyrtare.

Në siglën “Malësia na Bashkon” partitë shqiptare u bashkuan në një të vetme për të garuar.

Procesi i votimit në rajonin me shumicë shqiptare nisi në orën 7 të mëngjesit dhe pritet të përmbyllet qetësisht në orën 20 kur të 11 900 banorëve tu jetë dhënë e drejta e votës.

Sipas sondazheve paraprake, më i favorizuari për fitoren është kandidati shqiptar Nik Gjeloshaj që përfaqëson koalicionin e tri forcave politike shqiptare nën sloganin “Malësia na Bashkon”.

Vetë Gjeloshaj deklaroi pas votimi se ai është shpresëplotë që komuna do tu takojë shqiptarëve dhe bëri apel që mbështetësit e tij të shfrytëzojnë orët e mbetura.