Hoxhaj: Fundi i eksperimentit 14-vjeçar të Vuçiqit, të cilit Evropa i besoi dhe Ballkani ia pagoi çmimin

Ish-kryediplomati Enver Hoxhaj e ka cilësuar humbjen e Aleksandër Vuçiqit si lajmin më të mirë për Serbinë dhe Ballkanin, duke e përshkruar atë si fundin e një eksperimenti 14-vjeçar që, sipas tij, solli autokraci, izolim dhe destabilizim të rajonit.
Në një reagim në Facebook, Hoxhaj ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian për mbështetjen dhe besimin që i dha Vuçiqit gjatë viteve në pushtet.
“Duke qenë atëherë vetë ministër i jashtëm, e di nga dora e parë sesi BE-ja pa asnjë rezervë e mbështeti dhe me naivitet i besoi”, ka shkruar Hoxhaj.
Sipas tij, Vuçiq përdori premtimin për integrimin evropian të Serbisë për të siguruar mbështetjen e Brukselit dhe Washingtonit, ndërsa e shndërroi vendin në platformë të ndikimit rus dhe kinez në Ballkan dhe Evropë.
“Vuçiq premtoi stabilitet, por solli autokraci dhe premtoi Evropë, por solli izolim”, ka theksuar ai.
Duke folur për Kosovën, Hoxhaj ka deklaruar se politika e Vuçiqit synonte mbajtjen gjallë të konfliktit dhe destabilizimin e vendit e të rajonit.
Ai e ka akuzuar Vuçiqin për nxitjen e krizave në veri të Kosovës dhe për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.
Hoxhaj ka vlerësuar se, duke tentuar ta mbante peng Kosovën, Vuçiq në fakt mbajti peng Serbinë dhe rrugëtimin e saj evropian. Ai ka kritikuar gjithashtu mbështetjen për shkëputjen e Republikës Sërpska dhe ndërhyrjet në Mal të Zi, duke i lidhur këto me doktrinën e “Botës serbe”.
Megjithatë, Hoxhaj ka paralajmëruar se largimi i Vuçiqit nuk garanton ndryshim të orientimit politik të Serbisë. Sipas tij, shumë do të varet nga veprimet e fituesve të zgjedhjeve dhe nga qasja e BE-së dhe SHBA-së ndaj tyre.
Reagimin e ka përmbyllur me një reflektim personal mbi pushtetin dhe trashëgiminë politike, duke theksuar se ajo që mbetet është çfarë i lë një udhëheqës vendit kur largohet.

Lexo edhePresidentja kërkon hetim urgjent për vrasjen e Arlinda Zekajt: Të sqarohet nëse janë marrë masat për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj
Shkrimi i plotë:
Fundi i një eksperimenti 14-vjeçar dhe largimi nga skena i një nga figurave më të errëta për më shumë se 30 vjet.
Humbja e Aleksandër Vuçiqit është lajmi më i mirë për Serbinë dhe për Ballkanin. Për 14 vjet, Vuçiq shiti iluzionin se Serbia mund të reformohet nga brenda dhe të bëhet anëtare e BE-së në të njëjtën kohë. Duke qenë atëherë vetë ministër i jashtëm, e di nga dora e parë sesi BE-ja pa asnjë rezervë e mbështeti dhe me naivitet i besoi.
Që kur erdhi në pushtet në maj të 2012-s, Vuçiq kishte një narrativë dinake për Brukselin dhe Washingtonin: Më lini mua ta kontrolloj sistemin, dhe unë do ta çoj Serbinë në BE. Perëndimi e pranoi dhe për vite i besoi për arsye të shumta dhe të ndryshme, ndonëse si asnjëherë më parë e bëri Serbinë platformë të Rusisë dhe Kinës në Ballkan dhe Evropë.
Vuçiq premtoi stabilitet, por solli autokraci dhe premtoi Evropë, por solli izolim. Premtoi reforma, por solli korrupsion, media të kontrolluara. Studentët dhe profesorët i treguan se një shoqëri nuk çlirohet me urdhër nga lart. Çlirohet nga poshtë. Kjo humbje nuk është vetëm e Vuçiqit, por është fundi i modelit të autokratit që luan kartën e BE-së dhe shitet gjoja si partner i Perëndimit.
Për 14 vjet, politika e Vuçiqit ndaj Kosovës ishte politikë për të mbajtur gjallë konfliktin dhe për të destabilizuar atë dhe rajonin. Derisa në Bruksel ishte për “dialog”, në veri ndërtonte barrikada dhe dërgonte ushtarë e paramilitarë për të aneksuar territorin e saj. I nënshkroi disa marrëveshje në Bruksel, por kurrë nuk i zbatoi ato. Çdo herë kur i duhej ta largonte vëmendjen nga një krizë në Beograd, e ndezte një krizë në Mitrovicë.
Duke shpikur rolin e tij të zjarrvënësit dhe të zjarrfikësit, mbeti i obsesionuar për ta mbajtur peng Kosovën, në fakt e mbajti peng Serbinë. Kushdo tjetër sot ndoshta do e bënte Serbinë për 14 vjet qeverisje pjesë të BE-së ose afër anëtarësimit të saj. Por Serbia është më larg BE-së sot se në 2012, derisa më 2030 anëtarësimi i Malit të Zi dhe Shqipërisë edhe mund të bëhet realitet.
Ballkani më i pasigurt se para 14 vjetëve. Me mbështetje të hapur për shkëputjen e Republikës Sërpska dhe duke goditur Bosnjën, dhe me ndërhyrjet e shumëfishta në Mal të Zi – Vuçiq mori peng edhe Ballkanin, për aq gjatë sa ishte në pushtet. Sa ishte i ri luftoi për “Serbinë e Madhe”, sa ishte në pushtet doktrina e tij “Bota Serbe” në vend të “Botës Evropiane”.
Sot, me humbjen e tij, na mbetet të shohim a bie edhe kjo doktrinë dhe a do largohet ky myk antihistorik në Evropë. Ata që fituan zgjedhjet në Serbi nuk e dimë kush janë, çfarë mendojnë dhe si në pushtet do veprojnë, por e rigjejnë veten ata për të mirë ose edhe për të keq, varet shumë sesi do sillen BE-ja dhe SHBA-ja me ta. Ndryshimi i pushtetit nuk shndërrohet patjetër në ndryshim të qëndrueshëm orientimi.
Pas kaq vitesh në politikë, mësova këtë. Pushteti është gjithmonë më i shkurtër se sa duket ditën kur e fiton, dhe gjëja e vetme që mbetet është se çfarë i lë vendit kur ikën.












