Investo 1 mijë dollarë dhe brenda pak ditësh, shuma do të dyfishohet. Ky ishte premtimi fillestar që grupi i mashtruesve përdorte për të joshur qytetarët e ndryshëm në mënyrë që ata të fusnin paratë në firmat piramidale online, të goditura nga policia e Fierit para pak ditësh.
Vizion Plus mëson se krahas platformës XUEX, janë edhe dy firma piramidale të tjera që po hetohen.
Konkretisht njëra prej tyre është mbyllur me kohë, ndërsa tjetra mësohet se është hapur kohët e fundit dhe është ende aktive.
Shuma më e vogël e investimit ishte 1 mijë dollarë, por burimet theksojnë se ka qytetarë që kanë investuar deri në 5 mijë dollarë, pasi shpresonin për dyfishimin e parave.
E gjithë skema e goditur ishte organizuar në lokalin ‘La Bonta’ në Lushnje, ku policia zbuloi këtë skemë, ndërkohë që ka dyshime se në rrjeten e mashtrimit kanë rënë qindra persona.
Referuar dosjes, agjentë të policisë të infiltruar kanë rënë në kontakt me Ereledio Shebeku i cili kishte një tjetër grup në telegram për platformën XUEX.
35-vjeçari përmes kësaj platforme kishte lidhje me një shtetas angez të quajtur Leo Smith i cili u dërgonte linqe të ndryshme ne grupin privat dhe qytetarët duhet të pëlqenin faqet në mënyrë që të rritej përfitimi i tyre.
Në dosjen hetimore mësohet se agjentët e infiltruar kishin kontaktuar kamarierin e lokalit ‘La Bonta’, Emanuel Taullau i cili u tha se për tu bërë pjesë e firmës piramidale duhet të lidhen me pronarin e lokalit Arbën Çelën.
Ishte pikërisht Çela ai që u shpjegoi efektivëve se minimuni për tu futur në lojë ishte 1 mijë euro ose dollarë.
Ditën tjetër efektivët përmes kamarierit takuan një tjetër person Flavio Mukajn, i cili pasi u mori lekët i futi tek grupi privat në platformën telegram.
Lekët fillimisht kalonin nga palikacione të ndryshme deri në bankat e nivelit të dytë ku përfituesit mund të tërhiqnin fitimet.
Ajo që bie në sy në faqen e dytë të dosjes, është fakti se ishin të përfshirë edhe zyrtarë të Bashkisë së Divjakës