Maresca zbulon sekretin se si e mposhti PSG-në

Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, u shpreh me entuziazëm pas triumfit bindës të skuadrës së tij ndaj Paris Saint-Germain, duke e konsideruar fitoren në finalen e Kupës së Botës për Klube si një sukses që barazohet me Ligën e Kampionëve.
Chelsea mposhti PSG-në me rezultat 3-0 në finalen e edicionit të parë të formatit të ri të turneut të FIFA-s, të zhvilluar të dielën. Të tre golat u shënuan në pjesën e parë: dy prej tyre nga Cole Palmer dhe një tjetër nga Joao Pedro.
“Kam ndjesinë se kjo garë do të jetë po aq e rëndësishme, nëse jo më e rëndësishme se Liga e Kampionëve,” deklaroi Maresca, i cili vetëm pak muaj më parë kishte fituar Ligën e Konferencës me Blutë.
Italiani mori drejtimin e Chelseat vetëm një vit më parë, pasi kishte qenë më herët pjesë e stafit teknik të Pep Guardiolës te Manchester City, gjatë sezonit kur ata fituan Ligën e Kampionëve në vitin 2023.
“Isha me fat të isha pjesë e stafit të një skuadre që fitoi Champions-in, por kjo garë përfshin më të mirat nga çdo kontinent. Mendoj se duhet ta vlerësojmë në të njëjtin nivel,” shtoi ai.

Lexo edhePolicia jep detaje për plagosjen në Shtime, katër plumba në drejtim të viktimës
Ky triumf do t’i mundësojë Chelseat të mbajë stemën e kampionit botëror në fanellë për katër vitet e ardhshme, diçka që Maresca e cilësoi si “burim krenarie për klubin dhe tifozët”.
Trajneri italian zbuloi se kishte udhëzuar lojtarët që të ishin agresivë që në minutat e para ndaj PSG-së. “Mesazhi ishte i qartë: jemi këtu për të fituar. Dhe besoj se në 10 minutat e para ua treguam këtë. Ajo që pasoi ishte meritë e cilësisë së jashtëzakonshme që kemi në skuadër,” theksoi Maresca.
Ylli i ndeshjes ishte Cole Palmer, i cili përveç dy golave, dha edhe asistin për golin e tretë. 23-vjeçari anglez, që ishte një nga fytyrat promovuese të turneut në billboard-et e New Yorkut përkrah Mbappé dhe Vinicius Junior.














