back to top
Monday, October 27, 2025
BallinaLajmeMali i Zi vendos vizat për turqit, pas një sërë arrestimesh në...

Mali i Zi vendos vizat për turqit, pas një sërë arrestimesh në Podgoricë

Të ngjajshme

Qeveria e Malit të Zi do të heqë të hënën – me procedurë të përshpejtuar – regjimin pa viza për shtetasit turq, njoftoi kryeministri Millojko Spajiq në orët e vona të së dielës përmes një postimi në X.

“Do të nisnim bisedime intensive me Turqinë për të gjetur, në frymën e bashkëpunimit të mirë dhe aleancës, modelin më të mirë në interes të të dyja palëve”, tha Spajiq.

Ai nuk dha arsye për heqjen e regjimit pa viza.

Operacion policor dhe thirrje antiturke

Njoftimi i Spajiqit erdhi pasi policia gjatë një aksioni në lagjen Zabello të Podgoricës arrestoi rreth 50 shtetas të Turqisë, përfshirë dy persona për të cilët dyshohet se morën pjesë në një përleshje ku një banor i Podgoricës, M.J., u plagos me thikë, njoftoi Policia malazeze pas orës 22:00 të dielën.

Përleshja ndodhi natën mes së shtunës dhe së dielës në një kafene në Zabello.

Gjatë arrestimeve, u mblodh një grup i madh qytetarësh që brohoritnin mesazhe me gjuhë të urrejtjes, përkatësisht duke nxitur dhunë ndaj turqve. Policia ndaloi disa nga të pranishmit që të afroheshin pranë objekteve ku ndodheshin shtetasit turq.

Qytetarëve iu drejtua edhe ministri i Punëve të Brendshme, Danilo Sharanoviq, i cili tha se është manipulim të thuhet se në Mal të Zi qëndrojnë 100.000 shtetas turq dhe shpjegoi se numri i tyre është 13.000, prej të cilëve 80 kanë qëndrim të përhershëm.

Mbrëmjen e së dielës, një numër i madh i automjeteve policore u vendosën para ndërtesës së Ambasadës turke në Podgoricë.

Deputeti Boris Bogdanoviq nga Partia Demokratike në pushtet, subjekti i ministrit Sharanoviq, publikoi një fotografi të arrestimeve me mbishkrimin: “Mbrojmë vendin tonë. Mbrojmë çdo shtëpi”.

Policia lidhi arrestimet me, siç tha, incidente me elemente dhune gjatë 24 orëve të fundit, në të cilat morën pjesë shtetas turq që qëndrojnë përkohësisht në Podgoricë.

Nga policia thanë se do të verifikojnë ligjshmërinë e qëndrimit të tyre dhe nëse gjatë qëndrimit ka pasur dhunë, mund të ketë veprime për anulimin e ëndrimit ose dëbim nga vendi.

Nga rreth 100.000 të huaj në Mal të Zi, 13.400 janë shtetas turq, sipas të dhënave zyrtare të policisë. Më shumë janë shtetas serbë dhe rusë, gjithsej rreth 50.000.

Ndryshe, Turqia është një ndër vendet për të cilat Mali i Zi ka hequr vizat, gjë për të cilën Komisioni Evropian ka kërkuar nga Podgorica që të harmonizojë politikën e vizave me Bashkimin Evropian. Shtetasve turq u kërkohet vizë për të hyrë në vendet e BE-së.

Reagime: Dënohet sulmi dhe thirrje për paqe
“Dënoj ashpër sulmin”, shkroi në rrjetin X presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, duke u bërë thirrje autoriteteve të zgjidhin rastin në mënyrë efikase.

“Njëkohësisht, bëj thirrje për qetësi dhe përmbajtje për të gjithë qytetarët. Nuk duhet të ketë vend për faj kolektiv apo stigmatizim të një populli të tërë”.

Ai shtoi se të gjithë duhet të kenë kujdes që mesazhet e tyre të mos rrisin tensionet.

“Policia dhe prokuroria janë të detyruara të luftojnë gjuhën e urrejtjes dhe çdo formë kërcënimi. Malit të Zi i nevojitet një politikë imigracioni më e përgjegjshme: e fortë ndaj abuzimeve dhe krimit, dhe e drejtë ndaj të gjithë atyre që respektojnë ligjet tona”, theksoi Millatoviq.

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, dënoi ashpër sulmin. Ai bëri thirrje “të gjithë në Mal të Zi për përmbajtje”, duke theksuar se përgjegjësia është individuale.

Sipas tij, në një Mal të Zi evropian nuk ka vend për dhunë, për veprime arbitrare dhe thirrje si “Vrite turkun” – thirrje që u dëgjuan në Podgoricë, duke kërkuar një reagim të menjëhershëm nga autoritetet.

Edhe Partia e Boshnjakëve, në pushtet, kërkoi zbardhjen e rastit dhe ndëshkimin e autorëve “pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare”.

“Së bashku, me shqetësim të madh dënojmë gjuhës së urrejtjes dhe brohoritjet si ‘Vrite Turkun’… Mali i Zi duhet të mbetet një vend ku ndaj dhunës nuk përgjigjemi me urrejtje, por me drejtësi, dhe ku institucionet, jo rrugët, vendosin për fajësinë”.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq, komentoi ngjarjen në kontekstin e ftohjes së marrëdhënieve midis Beogradit dhe Ankarasë, pas faktit që në fillim të tetorit Turqia dërgoi armë në Kosovë, gjë që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e quajti “tronditëse” dhe vlerësoi se Ankaraja, që është anëtare e NATO-s, nuk dëshiron stabilitet në Ballkan.

“Pas më pak se 20 ditësh. A po e ndëshkon Beogradi Turqinë përmes Malit të Zi?”, shkroi Fejziq në X, duke publikuar një foto të një teksti me titullin “Vuçiq sulmoi Turqinë: Ne dimë çfarë po planifikoni…”.

Një pjesë e koalicionit qeverisës në Mal të Zi, kryesisht partitë e ish-Frontit Demokratik prorus, kanë lidhje të ngushta me Beogradin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Veprimtaria e grupeve kriminale në Mal të Zi

Në Mal të Zi, vitet e fundit janë bërë gjithnjë e më të pranishme grupet kriminale të huaja, veçanërisht turke, gjeorgjiane dhe ruse, siç thuhet në Vlerësimin e Rrezikut të Krimit të Organizuar dhe të Rrezikshëm (SOCTA) të Qeverisë, vitin e kaluar.

Në dokument nuk ka detaje mbi veprimtarinë specifike të kriminelëve rusë dhe gjeorgjianë, ndërsa turqit përmenden në lidhje me “operacione” me heroinë, trafikim të njerëzve dhe pastrim parash.

Gjatë tre muajve të fundit, janë përshkallëzuar përleshjet midis dy klaneve kriminale malazeze që merren me kontrabandën ndërkombëtare të drogës.

Në Mal të Zi janë të regjistruara 11 grupe të krimit të organizuar me rrezik të lartë, shumica me më shumë se 30 anëtarë, sipas raportit të fundit SOCTA-s. REL

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz