Lushaku-Sadriu: Propozimi për nënkryetar i takon ekskluzivisht partisë – jemi në një periudhë shumë të rëndësishme historike dhe institucionet duhet të bëhen funksionale

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se LDK-ja nuk ka ndërhyrë në vullnetin individual të deputetëve për të votuar ose jo kandidatët e propozuar për nënkryetarë të Kuvendit nga partitë opozitare.
Ajo ka theksuar se, sipas qëndrimit të LDK-së, e drejta për të propozuar kandidatin për nënkryetar i takon partisë politike përkatëse, duke thënë se ky parim duhet të vlejë njësoj për të gjitha subjektet parlamentare, transmeton lajmi.net.
“Në emër të LDK-së ne nuk e kontestuam vullnetin e asnjë deputeti të Kuvendit të Kosovës, për të përkrahur apo mos të përkrahur një nënkryetar nga partitë opozitare. Por gjithsesi besojmë thellë se propozimi ynë për nënkryetar i takon ekskluzivisht partisë”, u shpreh ajo.
Lushaku-Sadriu bëri të ditur se LDK-ja ka marrë vendim që gjatë votimit individual të mbështesë kandidatët e propozuar nga grupet parlamentare, përderisa ata nuk kanë probleme ligjore.
“Ne në votimin individual për secilin nënkryetar, morëm vendim që t’i përkrahim propozimet e GP-ve, të cilët janë propozime të partive politike dhe nuk kanë problem me ligjin”, tha Lushaku.
Duke folur për vazhdimin e seancës konstituive, ajo tha se pret që pas konsultimeve deputetët të rikthehen në sallë dhe të vazhdojnë procesin e konstituimit të Kuvendit.

Lexo edheKuvendi Komunal i Prishtinës voton pro, dhënies së pronës për shfrytëzim tek lokacioni “Tulltorja”
“Pres që pas konsultimeve dhe ndërprerjes, të kthehemi në seancë dhe ta vazhdojmë me konstituimin. Dua të them edhe një herë që nuk ka dyshim që konstituimi është tepër i rëndësishëm”, deklaroi ajo.
Deputetja e LDK-së vlerësoi se vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm dhe se institucionet duhet të funksionalizohen sa më shpejt, pas periudhës së gjatë të mungesës së funksionalizimit të plotë institucional.
“Jemi në një periudhë shumë të rëndësishme historike dhe institucionet, pas një mungese kaq të gjatë, duhet të kthehen dhe të bëhen funksionale”, tha ajo./lajmi.net/












