“Ne veçse po zbatojmë një ligj nga periudha para 13 vjetëve. Dhe më në fund po zbatohet ligji”.
Sipas kryeministri Albin Kurti, Ligji për të Huajt fillet i ka që moti, derisa nga Qeveria e tij veç po finalizohet.
Megjithëse u shpreh optimist për zbatimin e tij, Kurti nuk dha fare detaje për dokumentet ilegale që po kthehen në ato të Republikës së Kosovës.
Ai u tha gazetarëve se me këto lëvizje do të bëhet inkorporomi në sistemin e Kosovës edhe i dy shtyllave të fundit ilegale – sistemit të shëndetësisë dhe arsimit.
“ky nuk është një veprim politik, ky është zbatim i ligjit, zbatim gradual në bashkëpunim me Bashkimin Evropian në mënyrë që në Kosovë të kemi legalizim, normalizim, investime, për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka deklaruar Kurti.
I bindur për zbatimin e ligjit, u shpreh edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por njashtu si Kurti, pa dhënë detaje.
“Shumë mirë po shkon. Shumë mirë”, ka theksuar Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme.
Për shifrat nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk treguan as nëpërmjet adresës elektronike porse thanë se këto të dhëna të përmbledhura do të publikohen ndërkohë.
“Deri më tani, procesi i dorëzimit të dokumenteve nga qytetarët është duke vazhduar, ndërsa statistikat po grumbullohen. Të dhënat e përmbledhura do të publikohen në raportet periodike zyrtare”.
Në një përgjigje për Dukagjinin, ky institucion shpjegoi procedurat e legalizimit të dokumenteve të strukturave paralele serbe.
“Pas dorëzimit të dokumenteve, zyrat e gjendjes civile kryejnë verifikimet e duhura të tyre. Nëse dokumentacioni rezulton i rregullt dhe plotësohen kushtet ligjore, faktet përkatëse regjistrohen në regjistrat civilë të Republikës së Kosovës. Pas përfundimit të procedurës, aplikuesit pajisen me dokumente zyrtare të gjendjes civile të lëshuara nga institucionet e Kosovës, si certifikata e lindjes, e martesës ose e vdekjes, sipas rastit”.
Sipas një ish-zëvendësministri të Punëve të Brendshme, krahas regjistrimit të dokumenteve të vjetra, duhet të punohet edhe në një tjetër drejtim.
“Është e rëndësishme që pas datës 15 mars, që të fillojnë qytetarët që të regjistrohen direkt në Regjistrin Civil të Kosovës, pa u regjistruar paraprakisht në struktura joligjore”, ak theksuar Valdet Hoxha, ish-zv,ministër i Punëve të Brendshme.
Sipas marrëveshjes për Ligjin për të Huajt, i cili hyri në fuqi më 15 mars, veç tjerash parashihet nga MPB-ja që për një periudhë tre mujore, të gjitha dokumentet që evidentojnë lindjet, martesat dhe vdekjet, që janë lëshuar nga Institucionet Paralele Serbe, të regjistrohen me qëllim të integrimit në Regjistrin Civil të Republikës së Kosovës