Learta Hollaj, shefja e kabinetit të ish-presidentes Vjosa Osmani, vazhdon të mos ketë të deklaruar pasurinë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, tashmë për katër vite me radhë, përfshirë edhe vitin 2026.

Sipas të dhënave, Hollaj nuk ka bërë deklarim të pasurisë për vitet 2023, 2024, 2025 dhe së fundmi as për vitin 2026. Institucionet përkatëse kanë sqaruar se ajo nuk ka shtetësi të Republikës së Kosovës, çka e përjashton nga obligimi ligjor për deklarim të pasurisë, transmeton lajmi.net.
“Zyrtarët e lartë të emëruar me vendim dhe që nuk posedojnë shtetësinë e Republikës së Kosovës nuk janë të obliguar për deklarim të pasurisë”, thuhej në përgjigjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për VOX Kosova në një raportim muaj më parë.
Megjithatë, raportime të mëhershme kishin ngritur dyshime për mosdeklarim të plotë të pasurisë edhe në vitin 2022, kur Hollaj kishte raportuar për herë të fundit asetet e saj. Sipas këtyre raportimeve, ajo nuk kishte përfshirë në deklarim përfitimet nga bizneset familjare.
Nga deklarimet e pasurisë së familjarëve të saj në Mal të Zi rezulton se familja Hollaj posedon prona dhe kompani në Ulqin, nga të cilat sigurohen të ardhura, ndërsa një pjesë e këtyre përfitimeve lidhet edhe me vetë Hollajn.
Pavarësisht përpjekjeve për të marrë një qëndrim nga ajo, nuk ka pasur përgjigje lidhur me këtë çështje.
Hollaj ka qenë një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Vjosa Osmanit ndër vite, duke mbajtur një rol kyç në kabinetin e saj, fillimisht që nga koha kur Osmani ishte në krye të Kuvendit e deri në përfundimin e mandatit të saj si presidente më 5 prill 2026./lajmi.net/