LDK: Mbi 1 miliard euro për importe energjie, Kosova duhet të lidhet me projektet amerikane

Qëndrimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një mesazh i qartë për sigurinë dhe të ardhmen strategjike të Kosovës.
Çështja e gazit amerikan nuk është vetëm çështje ekonomike. Nuk ka të bëjë vetëm me çmime më të ulëta, siguri energjetike, vende të reja pune apo zhvillim industrial. Ajo është pjesë e arkitekturës së sigurisë që SHBA-të po ndërtojnë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare.
Fatkeqësisht, gjatë viteve të fundit, Kosova është larguar nga ky projekt strategjik, ndërsa ka shpenzuar mbi 1 miliardë euro për import të energjisë elektrike. Në vend të diversifikimit, kemi parë stagnim. Në vend të partneritetit strategjik me SHBA-të, kemi parë humbje kohe dhe arsyetime joracionale.
Sot përballemi me një realitet shqetësues: Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor jashtë korridoreve strategjike të gazit amerikan dhe jashtë arkitekturës së re energjetike e të sigurisë që po ndërtohet në rajon.
Ky vetëpërjashtim nuk është vetëm humbje ekonomike. Është humbje strategjike. Përveç më pak investime, më pak zhvillim, e më pak vende pune, kjo nënkupton edhe më shumë cenueshmëri për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Realiteti është i thjeshtë: nëse nuk zgjedhim SHBA-të, kemi zgjedhur armiqtë tanë. Alternativa kryesore ndaj integrimit në projektet energjetike amerikane mbetet rritja e varësisë nga burime dhe ndikime të tjera malinje gjeopolitike, përfshirë ato ruse. Prandaj, rreshtimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të reflektohet edhe në politikën tonë energjetike.
Siç e kemi bërë të qartë tash e një kohë, përfshirë gjatë kësaj fushate, LDK është e bindur se interesi shtetëror i Kosovës është i bazuar në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, integrim në projektet rajonale të gazit, diversifikim i burimeve energjetike dhe forcim i sigurisë kombëtare. Prandaj, që në fillim të mandatit, do të zbatojmë në plotni këtë politikë shtetërore duke sjellë gazin amerikan në Kosovë.

Lexo edheKurti: Transformim i tërësishëm i shëndetësisë
Sepse energjia nuk është vetëm ekonomi.
Energjia është siguri.
Energjia është sovranitet.
Energjia është aleancë.
Dhe Kosova duhet të jetë pjesë e kësaj aleance, jo jashtë saj.














