Ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Latifi sot në 27 vjetorin e Betejës së Koshares ka ndarë disa kujtime nga kjo Betejë e lavdishme.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se një natë para se të hynin në frontin e Koshares kanë qëndruar në fshatin Padesh që ishte ngjitur me zonë kufitare. Siç rrëfen ai, natën e kanë kaluar në disa tenda që i kishte ngritur prapavija e brigadës së tyre.
“Natyrisht, asnjëri nga ne nuk pati gjumë në sy, sa për shkak të emocioneve që kishim, aq edhe për shkak të zhurmës së madhe që bënin avionët e NATO-s që fluturonin mbi Kosovë. Në mëngjes u rreshtuam për nisje. Para nesh doli një oficer i brigadës, i cili kishte për detyrë të na jepte udhëzimet e fundit para hyrjes në luftë. Pjesën shokuese të ligjëratës së tij udhëzuese e kishte lënë për fund”, ka shkruar Latifi.
Ai ka treguar se çka ju tha ai:
“Merreni nga një copë nga paketa e cigareve dhe shkruajeni në të emrin, mbiemrin tuaj, vendlindjen tuaj dhe futeni në xhepin e djathtë të uniformës, sepse nëse bie puna me ju tërheq, na duhet ta dimë identitetin tuaj”, ka shkruar Latifi teksa rrëfen për këtë Betejë.
Latifi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se oficeri iu kishte dhënë 10 minuta kohë që të mendoheshin nëse janë gati për luftë, e nëse jo të largohen.
“Një heshtje e plotë e mbuloi gjithë njësitin tonë. Kur e pa se asnjëri nga ne nuk ishte lëkundur në synimin për të hyrë në luftë, oficeri ia bëri me shenjë një ushtari, i cili kishte marrë detyrën për të na dërguar në vijën e frontit.
– Nisuni, – i tha atij
Dhe, derisa po ngarkonim çantat në shpinë, u kthye nga ne dhe na tha:
– U lumtë pushka, djem. Dalshi faqebardhë!”, ka rrëfyer Latifi.
Ai ka treguar edhe biseda me ushtarë të tjerë.
“Rrugës filluam të diskutonim se pse oficeri na tha që copën e letrës me emrat tanë ta vendosnim në xhepin e djathtë e jo në të majtin. Atëherë dikush tha një shaka të hidhur:
– Sepse armiku kërkon të na godasë në zemër, e aty gjaku e prish letrën”, ka shkruar Latifi.
Ai ka thënë se emrin dhe vendlindjen i kishte shkruar në atë letër sipas urdhërit, ndërsa ditën që ka përfunduar lufta e ka grisur atë.
“Pasi e pata shkruar emrin dhe vendlindjen në atë copë letre, sa herë më ndodhte ta prekja në xhepin e djathtë ku e kisha vendosur, më kujtoheshin skenat nga Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, kur zhvarroseshin trupat e ushtarëve të vrarë dhe në skeletet e tyre gjendeshin pjesët metalike me emrat e tyre të shkruara në to. Ditën që lufta përfundoi, atë copë letre e pata grisur, si për t’i thënë vdekjes se kisha triumfuar mbi të. Me kalimin e kohës kujtimet e ne tê gjallëve do të zbehen; i përjetshëm do të mbetet vetëm emri dhe kujtimi i 114 shokëve tanë që ranë në kodrat e Kosharës”, ka shkruar Latifi. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: