Ky ekip e fiton Superkupën e Kosovës
Drita ka fituar trofeun e parë në sezonin e ri të futbollit të Kosovës.
Gjilanasit ngritën trofeun e Superkupës pas triumfit kundër Prishtinës me rezultat prej 2-1, ku “Intelektualët” treguan fytyrën e kampionit në pjesën e dytë.
Foto: Arbios Kryeziu/Telegrafi
Në fakt, gjithçka kaloi në suaza të një spektakli dhe korrektësie mes dyja taborëve të ekipeve kundërshtare.
Stadiumi “Fadil Vokrri” ishte pothuajse i mbushur i tërë pasi që në shkallët e saj ishin prezent rreth dhjetë mijë tifozë.
Para takimit në shenjë nderimi për veprën e legjendës së ndjerë të futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, të gjithë të pranishmit mbajtën një minutë heshtje.
“Plisat” kishin më shumë raste në 45 minutshin e parë duke e goditur në tri raste edhe shtyllën e “Intelektualëve” gjersa arritën të shënojnë vetëm një gol.
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Me të filluar ndeshja, Mankenda në minutën e dytë kishte një rast të mirë për shënim, por që nuk arriti të shfrytëzonte harkimin e mirë të Khaliditi dhe gabimin e portierit, Bakajt.
Pesë minuta më vonë, Ergyn Ahmeti dërgoi një gjuajtje të fortë drejt portës së Dritës, por që kësaj radhe Bakaj u tregua më i vëmendshëm dhe e dërgoi topin në korner.
Allen Jasharovki pasi mashtroi dy mbrojtës gjilanas në të 16 minutë, por nuk arriti ta parabollonte portierin Bakaj.
Po i njëjti lojtar nuk pati fat duke goditur shtyllën në të 18 minutë pasi dërgoi një goditje të fuqishme nga një distancë prej 25 metrave.
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Ahmeti bëri një pasim të saktë në të 33 minutë në drejtim të sulmuesit Mankenda, i cili i gjendur i vetëm para portës së gjilanasve, goditi vetëm shtyllën vertikale të kampionëve të Kosovës.

Lexo edheFamilja e presidentit të ndjerë, Fadil Vokrri e pranishme në stadium (FOTO)
Hoxha nuk arriti të shfrytëzojë një rast në të 30 minutë duke goditur sërish shtyllën vertikale të Bakajt.
Vetëm në minutën e 34, sulmuesi Mankenda arriti të sjell në epërsi skuadrën kryeqytetase duke goditur topin nga njëzet metra dhe i solli epërsinë e parë Prishtinës.
Pjesa e dytë foli pothuajse e tëra në dobi të futbollistëve të Dritës, të cilët arritën të përmbysin rezultatin dhe të shënonin fitore.
Foto: Arbios Kryeziu/Telegrafi
Paraprakisht, megjithëse u kërkua që të mos gjuhen gjësende dhe ndezën gjëra piroteknike, një gjë të tillë nuk e respektuan tifozët e prishtinasve. Ata ndezën flakadanë dhe për këtë gjë u ndërpre për disa minuta takimi në të 52 minutë.
Neziraj u pengua në zonën e rreptësisë nga Thaçi në të 62 minutë dhe pa asnjë dyshim gjyqtari Genc Nuzaj tregoi gishtin drejt pikës së penaltisë.
Fidan Gërbeshi u tregua i saktë në të 64 minutë, por penalltia u deshtë të përsëritet shkaku i hyrjes së futbollistëve në zonën e rreptësisë.
Në njëjtën anë sërish goditi Gërbeshi dhe shënoi golin e barazimit në të 65 minutë për ta ndezur atmosferën te Intelektualët.
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Khalid kishte rast të mirë kur u gjend i vetëm para portierit Bakaj, por që topin e gjuajti shumë lartë mbi portën.
Krasniqi pasoi saktë drejt Xhevdet Shabanit, i cili harkoi saktë për toke drejt Betim Haxhimusës, i cili nuk gaboi nga afërsia dhe solli në epërsi gjilanasit në të 82 minutë.
Deri në fund të ndeshjes më nuk pati gola dhe kështu, ndeshja përfundoi 2-1 për Intelektualët.
Theksojmë se kjo ishte Superkupa e parë për kampionin e Kosovës, Dritën në futboll gjersa Prishtina deri më tani ka fituar nëntë sosh. /Telegrafi/














