Rubio: SHBA-ja synon thellimin e partneritetit strategjik me Serbinë, shpreson ta vizitojë Beogradin

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara synojnë ta thellojnë bashkëpunimin strategjik me Serbinë, ndërsa ka shprehur shpresën se së shpejti do të ketë mundësi ta vizitojë Beogradin.
Rubio i bëri komentet të mërkurën në New York, duke folur për rolin e Serbisë si partnere strategjike të SHBA-së dhe planet e administratës amerikane për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
“Shpresoj se do të kem mundësi ta vizitoj (Serbinë)”, tha Rubio.
Ai theksoi se administrata e presidentit Donald Trump tashmë ka ndërmarrë hapa për intensifikimin e bashkëpunimit me Beogradin, ndërsa përfaqësues të Departamentit amerikan të Shtetit dhe institucioneve të tjera amerikane kanë vizituar Serbinë.
Rubio tha se Serbia është e përfshirë në disa çështje që mund të jenë “problematike dhe shpërthyese” dhe që tërheqin vëmendjen ndërkombëtare, por shtoi se Uashingtoni synon të vazhdojë thellimin e marrëdhënieve me Beogradin.

Lexo edhe“Jo në emrin tonë!”, Leonora Jakupi me fjalim të fuqishëm nga sheshi
“Është një partneritet strategjik që duam ta thellojmë dhe synojmë ta bëjmë këtë, ndërsa trajtojmë disa nga çështjet e mundshme që mund të shfaqen”, tha ai.
Ndryshe, Rubio dhe ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, në muajin korrik hapën raundin e parë të Dialogut Strategjik Serbi-SHBA në Washington.












