Kuvendi ndan 62 mijë euro për Komisionin Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt
Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndarjen e 62 mijë eurove për funksionimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të shqyrtojë veprimet dhe mosveprimet institucionale që lidhen me vrasjen e Arlinda Zekajt.
Vendimi është mbështetur nga 67 deputetë, transmeton lajmi.net.
Rasti i 49-vjeçares Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor në shtëpinë e saj, ka nxitur reagime të shumta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale, transmeton lajmi.net.
Si i dyshuar kryesor për vrasjen është ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ndërkohë, pak orë para ngjarjes tragjike, ish-bashkëshorti i viktimës, Jeton Sylaj, ishte ndaluar nga Policia, pasi Zekaj e kishte raportuar për shkelje të urdhrit mbrojtës.
Megjithatë, pas kthimit në shtëpi, 49-vjeçarja u vra me sëpatë. Përveç të dyshuarit kryesor, lidhur me rastin janë arrestuar edhe katër persona të tjerë.
Lexo edheIsmail Dibrani largohet nga posti i drejtorit të Shërbimit Korrektues
Ngjarja ka sjellë pasoja edhe brenda institucioneve të sigurisë, me një varg suspendimesh në Policinë e Kosovës, ndërsa dorëheqje ka ofruar edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë.
Përveç hetimit penal, përmes protestave publike është kërkuar edhe përgjegjësi politike për dështimet e mundshme institucionale në mbrojtjen e viktimës. Megjithatë, ministrat përkatës kanë refuzuar të japin dorëheqje.
Komisioni Hetimor Parlamentar pritet të shqyrtojë përgjegjësitë dhe veprimet e institucioneve para vrasjes së Zekajt./lajmi.net/





