Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare të premten, me fillim nga ora 10:00.
Në këtë seancë pritet të trajtohen një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshirë projektligje për ratifikimin e disa marrëveshjeve të kredisë ndërmjet Kosovës dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, që lidhen me zhvillimin e sektorit financiar, ekonominë, energjinë, klimën si dhe lehtësimin e tregtisë dhe transportit në rajon, transmeton lajmi.net.
Këto janë marrëveshjet që pritet të ratifikohen nesër:
- Votimi i Projektligjit nr. 10/L-015 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës,
- Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-016 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika,
- Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-017 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW, Frankfurt am Main, për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën,
- Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-018 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0.
Po ashtu, deputetët pritet të diskutojnë edhe për një propozim-rezolutë që ka të bëjë me rritjen e çmimeve të naftës, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimin e kësaj situate në koston e jetesës dhe stabilitetin ekonomik në vend.
Në fokus të seancës do të jenë edhe çështje të tjera, si zgjedhja e një anëtari joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës, shqyrtimi i një propozim-rezolute për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999, si dhe propozimet për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare nga grupet parlamentare.
Seanca do të përfshijë gjithashtu deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare./lajmi.net/