Kushtetuesja e riktheu në detyrë, reagon për herë të parë Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila në fillim të kësaj jave rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra.
Në një postim të publikuar përmes avokatëve nga qelia, Veliaj theksoi se vendimi i Kushtetueses nuk lidhet me një person të vetëm, por me parimin e demokracisë dhe të votës së lirë.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që u përket, popullit të Tiranës. Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij”, shkruan Veliaj.
Ai falënderoi qytetarët e Tiranës për mbështetjen dhe theksoi se do të vijojë përpjekjet për të ushtruar mandatin e dhënë nga votuesit.
Erion Veliaj: Të dashur miq, Për shkak të kushteve ku ndodhem, vetëm tani munda të çoj këtë pusullë-postim me avokatët. Drejtësia kushtetuese foli. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte një vendim për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që ju përket, popullit të Tiranës.

Lexo edheNesër heshtje zgjedhore, të dielën zgjedhjet e pjesshme në pesë bashki të Shqipërisë
Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij.
Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull. E drejta mund të vonojë, por nuk harron. Faleminderit çdo qytetari të Tiranës që besoi, që priti dhe që nuk u dorëzua.
Unë do të bëj çdo gjë që është në dorën time, që puna të vijojë, dhe do të kërkoj pa u ndalur që të mos pengohem në ushtrimin e mandatit që më keni besuar. Tirana nuk ndalet. Ju dua shumë!
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i dhënë në fillim të javës, anuloi njëkohësisht edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Tiranë më 9 nëntor, duke rikthyer në fuqi mandatin e Veliajt si kryebashkiak i kryeqytetit.














