Akademikja Justina Shiroka Pula është zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ajo është gruaja e parë që udhëheq këtë institucion të themeluar më 1975 dhe pason në këtë detyrë akademik, Mehmet Krajën.
Gjatë mbledhjes më 19 dhjetor, ASHAK zgjodhi edhe kryesinë e saj, ku Fejzullah Krasniqi u zgjodh nënkryetar, ndërkaq Bardh Rugova sekretar shkencor.
Mandati i kryetarit të ASHAK-ut është katërvjeçar, me mundësi rizgjedhje.
Kush është Justina Shikora Pula?
Udhëheqësja e re e ASHAK-ut ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Prishtinë. Po ashtu, më 1976 ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Ndërkaq, studimet pasuniversitare, në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i përfundoi më 1984 në Fakultetin e Shkencave Ekonimike të Zagrebit.
Ajo u doktorua në UP me tezën e doktoratës me titull: “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Kryetarja e re e Akademisë së Shkencave ka punuar në Bankën Popullore të Kosovës dhe më 1978 ka nisur karrierën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik.
Sipas biografisë të publikuar në faqen e ASHAK-ut, Shiroka Pula ka marrë pjesë edhe në studime të posdoktoratës, në Universitetin e Lincit në Aushtri, në atë të Arizonës në SHBA si dhe ka kryer trajnime të ndryshme profesionale në universitete të ndryshme të botës.
Pas luftës, ajo është angazhuar në shoqërinë civile, në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore dhe zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.
Nga viti 2008 deri më 2011 ka qenë ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës, ndërkaq nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.

