back to top
Thursday, September 11, 2025
BallinaLajmeKush e dështoi krijimin e Njësisë së helikopterëve dhe sa do t’i...

Kush e dështoi krijimin e Njësisë së helikopterëve dhe sa do t’i kushtonte Kosovës?

Të ngjajshme

Kosova mund të krijojë një skuadrilje të helikopterëve brenda një periudhe të shkurtë por për këtë duhet vullnet politik i cili deri më tani ka munguar. Kjo do të funksiononte brenda FSK e që në shërbim do të kishte edhe MPB për nevoja të veçanta të transportit. Kështu thotë Ismet Maliqi një nga ish eprorët ushtarak në fushën e aviacionit në një bisedë për Kosova Info.

Maliqi një nga 127 njerëz të profesionit të aviacionit të profileve të ndryshme sa kishte Kosova, që luftojnë për ekzistencë, thotë se ka pasur një plan për krijimin e njësitin ajror por që kurrë nuk është jetësuar. Më herët trupat paqeruajtëse në Kosovë kanë intervenuar në rastet emergjente deri në kalimin e shumë kompetencave tek autoritetet e sigurisë vendore. Por ajo fazë e emergjencës ka kaluar ndërsa Kosova nuk ka arritur të krijojë një njësit të saj për zbarkim qoftë për raste emergjente qoftë incidentet që mund të paraqiten në pika të ndryshme.

Maliqi thotë se nuk është mungesa materiale sa vetë vullneti politik.

Ai thotë se FSK kanë përmbushur kapacitetet për krijimin e një force të armatosur ku do të vepronte edhe një njësi ajrore por deri më sot asnjë ministër nuk e ka iniciuar themelimin e kësaj njësie në kuadër të FSK-së.

Kosova Info: A ka kushte për krijimin e një skuadrilje të helikopterëve?

Maliqi: FSK ka kapacitetet e veta, por e ka edhe një organogram rezervë të cilën është dashur ta plotësojë me themelimin e Njësisë Ajrore të Helikopterëve. E di, që kuadro nuk ka kjo njësi ajrore e cila është e rezervuar në organogramin e FSK-së. Kjo strukturë në kuadër të FSK-së ekziston vetëm në letër. Është dashur që pas transformim të TMK-së në FSK ai grup i cili ka ekzistuar të filloj trajnimet e veta dhe përzgjedhjen e kuadrove si në aspektin e dijes, fizik dhe teknologjisë.

Kosova Info: A e përballon vendi koston për krijimin e një njësie të helikopterëve?

Maliqi: Kosova mund ta përballojë koston për krijimin e kësaj njësie e cila duhet të funksionojë në kuadër të forcave të ardhshme të Kosovës . Duke marrë parasysh se një helikopterë shumë i mirë në tregjet botërore mund të kushtoj rreth dy milion euro. Të paktën me 10-15 milion euro Kosova mund të ketë një ekip prej tre deri pesë helikopterë të mirë me staf të trajnuar me disa heliodrome që mund të mbulojnë territorin e gjerë të Kosovës duke marrë parasysh reliefin , distancat e vogla prej qyteteve. Ka disa kompani të shitjes së helikopterëve të përdorura pesë-tetë vite që garantojnë mbi 3 mijë orë fluturime që për dy vite nuk i shpenzon. Kështu që Kosova ka buxhet të tillë dhe mundet. Por që për këtë duhet të reduktojë shpenzimet e tjera. Por problemi kryesor është që nuk ka kuadër për momentin në Kosovë. Është pak befasuese pse nuk kanë menduar deri më sot ti shkollojnë një kuadër. Keni parasysh se duhet shkolluar piloti, mekaniku duhet të krijohet baza, serviset për shkalle të lehta kurse shkallët e rënda i kryen gjithmonë prodhuesi apo servisi që është me kompetenca evropiane. As sllovenët nuk kanë servise të kategorisë së lartë.

Kosova Info: A ka Kosova kuadro dhe vullnet të tyre për krijimin e një ekipi?

Maliqi: Është çështje me e komplikuar sepse Kosova është dashur qysh më herët kur në 2002-2003 u kam shkruar letra edhe kryeministrave me radhe që të nis themelimi i kësaj bërthame apo njësie të helikopterëve ku deri në zgjidhjen e statusit që të jemi gatshëm me kuadro, teknika dhe infrastruktura. Deri më tani nuk kam dëgjuar të ketë filluar ndonjë nismë për këtë nga vendimmarrja politike. Të gjithë e dimë që Kosova ka nevojë të ketë një njësit të helikopterëve të paktën dy deri tre helikopterë dhe një te shkollë në të cilën do të trajnoheshin dhe të kurseheshin shpenzimet direke. Ne kemi shprehur gatishmërinë që të marrim përsipër organizimin e një strukture dhe zhvillimin e infrastrukturës deri te ngritja e kuadrove të reja në shkollat e jashtme. Nga viti 1999 deri në vitin 2002 kemi pasur një shanse të mirë për krijimin e një ekipi të cilën se kemi shfrytëzuar meqë s’kemi pasur përkrahje politike për të iniciuar këtë. Unë e kam shpalosur një buxhet për themelimin e njësie ajrore në kuadër të TMK-së kostoja për realizimin së cilës ka qenë 12 milion e 400 mijë marka. Ai çmim ka qenë i madh për atë kohë . mirëpo sot Kosova ka buxhet. Atëherë arsyetimi ka qenë që KFOR është mbikëqyrës i Kosovës dhe ata i kanë fluturaket e tyre që garantojnë hapësirën ajrore dhe ti ofrojnë ndihmë emergjente popullatës.

Kosova Info: Çfarë helikopterë i duhen Kosovës marrë parasysh reliefin, karakteristikat dhe rrethanat në të cilat ndodhet?

Maliqi: Konsideroj se Kosovës i duhen helikopterë miks edhe për nevoja ushtarake, policore dhe të emergjencës. Kjo sepse Kosova nuk ka kapacitet ekonomik as financiar që ti mbulojë shpenzimet për helikopterë për fusha të ndryshme më specifike. Ai miks helikopterë duhet të jetë nën monitorimi e ushtrisë së ardhshme të Kosovës por dhe në kooperim me policin. Këta do ti ndihmonin edhe popullatës në raste të rrezikshmërisë, në raste emergjente por edhe në rast se ka nevojë edhe të një dislokim të forcave speciale nëse ndodh ndonjë incident në kufi kudo qoftë sikurse ka ndodhur herëve të kaluara ku është bllokuar rruga nuk kanë mundur ti furnizojnë ata policë. Por që ka pasur një kosto angazhimi i helikopterëve të huaja.

Kosova Info: Brenda çfarë periudhe mund të krijohet nëse jo një eskadrilë por një ekip i helikopterëve?.

Maliqi: Nëse vendi mendon atëherë duhet pasur parasysh se koha ka qenë e arsyeshme dje të fillojë e jo sot të mendohet për nesër. Ne kemi humbur një shans me kuadrin që e kemi pasur në dispozicion e që shumica tani janë në moshë dhe luftojnë për ekzistencë. Ne kemi mbetur shumë hapa mbrapa , por të paktën e dimë organizimin e një strukture të tillë e cila kishte me qenë në duart e gjeneratave të reja që vijnë për një kohë më të gjatë. Kosova nëse sot mendon me formuar një njësi ajrore të helikopterëve atëherë duhet të fillojë menjëherë dhe ti gjejë operuesit të cilët i pranojnë kuadrot në shkollimin e pilotëve dhe teknikëve të profileve të ndryshme sepse një helikopter e do goxha një ekip. Një helikopter duhet të paktën ti ketë tri pilotë dhe duhet ti ketë ekipet teknike për mirëmbajtje dhe servisimin e atij helikopteri. Minimum duhet dy vjet për të realizuar një projekt i tillë për të arritur një pilot që të fluturojë. Problemi është se ne kemi pasur pilot e gatshëm të cilët askush si ka marrë parasysh dhe as që i ka tubuar që ti ruajë ata njerëz me trajnime vjetore të cilat janë të domosdoshme për çdo pilot. Së paku nga 10 deri 15 mijë euro duhet investuar në çdo pilot në vit. Ose 15 deri 30 orë duhet ti mbajë secili pilot për me qenë i aftë për të kaluar nga njëra kabinë në tjetrën varësisht se cilin tip fluturon. Shkollimi i një kuadri pilot sot kushton nga 120 deri 150 mijë euro. Në rrethanat tona ekonomike Sllovenia ofron kushtet më të mira meqë është pjesë e asociacioneve ndërkombëtare të aviacionit dhe i përmbahet atyre rregullave të aviacionit që do të ishte shumë i favorshëm për shkollimin dhe trajnimin e pilotëve dhe teknikëve për nevojat e Kosovës. Për fillim Kosovës i duhen dy helikopterë të rangut të mesëm dhe një të lehtë për trajnime. Të rangut të rëndë nuk ka nevojë derisa ekonomikisht të zhvillohet vendi. Ne jemi shtet i vogël dhe kemi nevojë për helikopterë të lehtë dhe të mesëm për arsye se janë më mobil më të shpejt, mirëmbajtja është më e lirë. Ky ekip mendoj se duhet të vendosej diku afër Prishtinës ndërsa trajnimet më së miri do të ishte të mbahen në aeroportin e Gjakovës. Për realizimin e kësaj ka nevojë për hartimin e një strategjie duke përcaktuar prioritetet.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz