Kurti thotë se janë arrestuar dy personat që plagosën babë e bir në Prizren, Policia s’e konfirmon

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë arrestuar dy personat të cilët plagosën babë e bir në Prizren, gjatë një tentim grabitjeje të hënën pasdite. Ndërkohë, Policia e Prizrenit nuk i ka konfirmuar për Express ato që i tha kryeministri. Zëdhënësi i Policisë atje, Vesel Gashi, tha vetëm se aktualisht po zhvillohet një aksion i Policisë.
Kurti tha në Kuvendin e Kosovës se tashmë janë bastisur disa lokacione, ndërsa dha detaje për dy të dyshuarit, të cilat theksoi se janë arrestuar sot.
“Sot janë arrestuar dy të dyshuar për plaçkitjen e argjendarisë në Prizren të hënën në mbrëmje, me ç’rast janë plagosur babë e bir, pronarë të saj. Tashmë disa lokacione janë bastisur”, tha Kurti.
Kreu i Qeverisë tha se të dyshuarit kanë qenë të arrestuar deri vonë për vepra penale, por që më pas ishin liruar nga gjykata.

Lexo edheFadil Nura u ofron bashkëpunim të gjithëve në Skënderaj, por jo koalicon
“Të dyshuarit kanë qenë të arrestuar deri vonë për vepra e plaçkitje të mëhershme, por fatkeqësisht gjykata i ka liruar në procedurë të rregullt. E tash, janë riarrestuar”, deklaroi kryeministri.
Gashi nga Policia e Prizrenit tha për Express se pasdite do të mbajnë një konferencë për media lidhur me këtë rast.














