BallinaLajmeKurti për Adem Jasharin: Zemra që Serbia u përpoq ta ndal, u...

Kurti për Adem Jasharin: Zemra që Serbia u përpoq ta ndal, u bë zemra e përjetshme e popullit tonë!

Të ngjajshme

Ezofag i krijuar në laborator jep shpresë për fëmijët

Shkencëtarët britanikë kanë arritur një përparim të madh duke...

Tension midis Trump dhe Netanyahu, kjo është arsyeja

Mosmarrëveshjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit lidhur me...

‘Po flasin tjerët…’ Benita me thumb të fortë ndaj Klodit

Ish-finalisti i “Big Brother VIP Kosova 4”, Klodi, ka...

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, përmes një shkrimi të postuar në llogarinë e tij Facebook, ka kujtuar sakrificën, trimërinë dhe kontributin e familjes Jashari.

Kurti, shkruan se komandati Adem Jashari, bashkë me të vëllain nuk luftuan vetëm disa muaj, por që nga vitet e 80-ta, para se UÇK-ja të shpallej organizatë, përcjellë Indeksonline.

 

 

“Me rënien e tij heroike, bashkë me 57 dëshmorët e tjerë të Prekazit, Adem Jashari u bë mësues i kombit shqiptar, i mësoi mësimin e vyer të rezistencës me çdo kusht, kundër robërisë, për lirinë”, shkruan ndër të tjera ai.

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Të dashur lexues e miq, këto ditë, prej datës 5 e deri në 7 mars, e gjithë Kosova, madje e gjithë shqiptaria, përkujton me respekt e nderim trimërinë dhe sakrificën, forcën dhe vendosmërinë, kontributin dhe mësimin e familjes Jashari.

21 vite më parë, në orët e hershme, pa aguar ende 5 marsi, forca të shumta të ushtrisë serbe, me mjete të blinduara, me tanke e me artileri, rrethuan shtëpitë e Jasharëve në Prekaz.

Ata kërkonin të ndalnin zemrën e qëndresës shqiptare kundër mizorisë serbe. E kjo zemër e fuqishme e qëndresës së kombit tonë, ishte e përmasave vërtet heroike. Kjo zemër ishte vetë Adem Jashari, kryeluftëtari i lirisë.

Bashkë me luftëtarë të tjerë, e gjithnjë i pandarë prej Hamzës, Adem Jashari nuk luftoi vetëm disa muaj, apo një vit a dy. Ai e filloi përgatitjen për luftën çlirimtare në fund të viteve ´80, në moshë fare të re, e luftoi, përkundër përndjekjeve nga Serbia, për vite me radhë, qysh prej fillimit të viteve ´90. Të thuash se Adem Jashari ishte UÇK-ja qysh përpara se UÇK-ja të shpallej e të organizohej, nuk është teprim.

Në tre ditë e net të qëndresës epike në Prekaz, 58 dëshmorë ranë për lirinë e atdheut, nga të cilët 18 gra e 10 fëmijë. Shtypjen ne shqiptarët e kemi përjetuar së bashku, burra e gra, pleq e të rinj. Edhe dëshmorët i kemi prej të gjitha gjinive e moshave. Andaj është e pakuptimtë, dhe e patolerueshme, që diskriminimet të vazhdojnë edhe pas çlirimit. Nuk e dhanë jetën dëshmorët që disa të kenë më shumë liri e disa më pak!

Në përmbyllje të Epopesë së UÇK-së, me datën 7 mars, kur shqiptarët kudo që ndodhen festojnë ditën e mësuesve, ata kujtojnë edhe Shaban Jasharin, babain e Hamzës e Ademit, që i mësoi vajzat e djemtë e Drenicës porsi fëmijët e vet, dhe, i mësoi fëmijët e vet të bëhen porsi shqiptarët e historisë sonë të lavdishme, kryengritës të paepur.

Me vrasjen e Adem Jashari, makineria e luftës e fitoi një betejë. Por, në të njëjtën kohë, u shënua fati i atij aparati mizor, që ishte humbja e luftës. Me rënien e tij heroike, bashkë me 57 dëshmorët e tjerë të Prekazit, Adem Jashari u bë mësues i kombit shqiptar, i mësoi mësimin e vyer të rezistencës me çdo kusht, kundër robërisë, për lirinë.

Kështu ky njeri i lindur në 28 nëntor e i rënë në 7 mars, me jetën dhe me vdekjen e vet, i rigjallëroi këto dy data të shenjta, u dha atyre më shumë kuptim. Zemra që Serbia u përpoq ta ndal, u bë zemra e përjetshme e popullit tonë, e cila rreh pa u ndalur, për çlirim e drejtësi, për pavarësi e jetesë me nder.

Le t´ua mësojmë të vegjëlve, le t´ua tregojmë edhe popujve të tjerë, me krenari, historinë e Adem Jasharit dhe Prekazit heroik.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz