Kurti: Pas balotazhit do të merremi me votat për Konjufcën si mandatar për kryeministër

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje të premten nga Gjakova ka folur edhe për procesin e krijimit të qeverisë së re, e cila po ndodh gati me 9 muaj vonesë.
Kurti ka përmendur dështimin e tij për të marrë 61 vota në përpjekjen e parë për krijimin e Qeverisë Kurti III dhe ka thënë se për këtë arsye kanë mandatuar Glauk Konjufcën si mandatar të ri.
Megjithatë Kurti ka treguar se me çështjen e Konjufcës si mandatar dhe me sigurimin e votave për të do të merren pasi të përfundojë gara e balotazhit, e në të cilën LVV është e përfshirë në disa komuna, në veçanti Mitrovicën e Jugut ku Kurti është i fokusuar jashtëzakonisht shumë.
“Meqë unë s’i mora 61 votat e nevojshme, dhamë edhe propozimin tjetër pa vonesë, dhe me këtë do të merremi menjëherë pas balotazhit”, ka thënë Kurti në Gjakovë.

Lexo edheBalotazhi që mund të riformësojë hartën politike të Kosovës
Deri tani asnjë prej partive të ish-opozitës s’kanë dhënë sinjale se mund ta votojnë Konjufcën për kryeministër dhe kanë kërkuar shkuarjen në zgjedhje si e vetmja zgjidhje. Konjufca ka pas mandatimit nga presidentja kishte deklaruar se duan qeveri kalimtare pa koalicione për ta votuar buxhetin, planin e rritjes së BE-së, dhe buxhetin e RTK-së.














