Me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, anëtarë të kryesisë e deputetë, shkuan në Prekazin heroik dhe bënë homazhe te varrezat e Jasharajve.
Nga Prekazi kryetari i VV-së, Albin Kurtit, uroi të gjithë shqiptarët për përvjetorin e pavarësisë, duke bërë thirrje që të punohet më shumë për një Kosovë më të mirë,
“Sot, me 17 shkurt, e gjithë Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi kremtojnë dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Dhe, unë, që të gjithë i uroj për këtë festë shumë të rëndësishme për popullin, shoqërinë e për kombin tonë.”
“Por, njëkohësisht, neve na ndajnë më pak se tri javë nga Epopeja e UÇK-së, nga koha kur flijimi i tre brezave të Jasharajve do t’i mbushë dy dekada. Ne duhet që ta ndërlidhim çdo festë tonën shtetërore me atë që është e pazgjidhshme: me luftën çlirimtare, me kryengritjen popullore dhe me sakrificat e mëdha të popullit tonë, simbol madhështor i së cilave është pikërisht sakrifica dhe flijimi i Jasharjave.
Me 17 shkurt teksa padyshim festojmë, në të njëjtën kohë, padyshim edhe kujtojmë e përkujtojmë se sa i lartë ishte çmimi i lirisë dhe se rrënjët e saj janë në gjakun e dëshmorëve, heronjve e martirëve të kombit. Ne sot jetojmë të lirë duke ju falënderuar atyre që e dhanë jetën për liri”, tha Kurti./Drenicapress/