back to top
Wednesday, September 17, 2025
BallinaLajmeKurti kritikohet se po e dëmton Kosovën, opozita: SHBA do partner të...

Kurti kritikohet se po e dëmton Kosovën, opozita: SHBA do partner të përgjegjshëm

Të ngjajshme

Përveç krizës së brendshme politike, Kosova po ballafaqohet tashmë edhe me krizë diplomatike e me marrëdhënie të ftohta me aleatët kyç.

Vetëm pak ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuar për pezullimin e ‘’ Dialogut Strategjik’’ me Kosovën, një tjetër reagim ka ardhur po ashtu nga një shtet me ndikim për vendin, nga Gjermania.

Gjermania ka paralajmëruar se mbyllja e Fondit të Pensioneve dhe Sigurimit Shëndetësor në Mitrovicën e Veriut nga autoritetet kosovare është një hap i rrezikshëm, që mund të dëmtojë seriozisht raportet bilaterale mes dy vendeve.

Ky reagim erdhi nga Michael Reiffenstuel, zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme Federale Gjermane për Ballkanin Perëndimor, i cili përmes një postimi në platformën X kërkoi vetëpërmbajtje dhe kritikoi ashpër veprimet e fundit të Prishtinës, duke i quajtur ato në kundërshtim me zotimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

“Bëjmë thirrje urgjente Kosovës që të përmbahet nga shënjestrimi i institucioneve shëndetësore të drejtuara nga Serbia. Veprimet shqetësuese të javës së kaluar ndikojnë negativisht mbi vetë qytetarët e Kosovës, bien ndesh me obligimet dhe zotimet e saj ndaj BE-së dhe tendosin marrëdh nniet tona dypalëshe gjermano-kosovare.” – shkroi ai në X.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë për FrontOnline e ka rikonfirmuar përkushtimin e SHBA-së ndaj qytetarëve të Kosovës dhe partneritetit të ndërsjellë, por ka dërguar një mesazh të qartë për qeverinë në detyrë, duke theksuar nevojën për veprime konstruktive dhe të përgjegjshme.

“Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë një mik i ngushtë i popullit të Kosovës dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë,” thuhet në deklaratën e ambasadës.

Megjithatë, SHBA-të kanë kërkuar qasje më të kujdesshme nga autoritetet kosovare në raport me situatën politike dhe të sigurisë në vend.

“Shtetet e Bashkuara i nxisin partnerët tanë të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitet dhe siguri,” vijon deklarata e Ambasadës Amerikane në Prishtinë për FO.

Ambasada amerikane thekson se është e gatshme të ecë përpara në bashkëpunim me qeverinë në detyrë, por thotë se ky bashkëpunim kërkon një partner të përgjegjshëm.

“Ne duam të ecim përpara me qeverinë e përkohshme, por na duhet një partner që e kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe është i përkushtuar për të çuar përpara stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë së përkohshme. Nuk kemi asgjë tjetër për të njoftuar në këtë pikë.” thuhet më tej.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ,Alban Zogaj, për FO ka folur pas paralajmërimeve  të Gjermanisë ndaj qeverisë Kurti, duke e cilësuar situatën si një tregues shqetësues të prishjes së marrëdhënieve me aleatët perëndimorë.

“Shenjë e qartë e politikave që po na distancojnë nga partnerët tanë kryesorë!” – deklaroi Zogaj

Ai theksoi se kjo qasje është e papranueshme për LDK-në.

‘’E papranueshme per ne si LDK’’ tha ai.

Zogaj shtoi se LDK-ja do të angazhohet që të përmirësojmë marrëdhëniet me të gjithë aleatët e saj.

“Ne do të punojmë që të përmirësojmë marrëdhëniet me të gjithë aleatët tanë.” përfundoi Zogaj.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj për FO e ka akuzuar qeverinë në detyrë për prishje të marrëdhënieve me aleatët strategjikë të Kosovës dhe për neglizhencë ndaj paralajmërimeve të vazhdueshme.

“Ne moti i kemi ngritur këto shqetësime, edhe pse Qeveria në detyrë moti është munduar t’i mohojë këto, se ka tendosje të raporteve mes Qeverisë së Kosovës dhe aleatëve tanë,” deklaroi Kadrijaj për FO.

Ajo kujtoi se Kosova tashmë prej vitesh po përballet me pasoja konkrete si rezultat i këtyre përplasjeve me partnerët ndërkombëtarë.

“Ka vite që jemi të sanksionuar. Kemi humbur miliona euro për shkak të këtyre sanksioneve dhe përkundër kërkesave, nuk janë larguar sanksionet,” theksoi deputetja e AAK-së.

Sipas saj, humbja e besimit nga ana e aleatëve historikë të Kosovës është një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie.

“Me këtë Qeveri po i humbim aleatët kryesorë, të cilët i kemi pasur aleatët më të mirë edhe gjatë luftës, edhe pas luftës, edhe në shpallje të pavarësisë dhe që kanë ndikuar në çdo njohje të Kosovës,” tha Kadrijaj.

Kadrijaj potencoi se këto mesazhe po tregojnë se aleatët tanë nuk po duan të bashkëpunojnë me Kurtin.

“Ata po japin mesazh të qartë se nuk duan të bashkëpunojnë me këtë Qeveri.”

Ish-ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti, për FO ka kritikuar Qeverinë aktuale të Kosovës, duke theksuar se reagimet e aleatëve, BE-së, SHBA-ve ndaj Qeverisë së Kosovës janë dëshmi e qartë se ato nuk pajtohen me politikat e mbrapshta dhe sjelljen e saj të papërgjegjshme.

Ai shtoi se kjo nuk është vetëm çështje e gjysmëviti të fundit kur Qeveria është në detyrë..

‘’Reagimet e aleatëve, BE-së, SHBA-ve dhe Gjermanisë, ndaj Qeverisë së Kosovës janë dëshmi e qartë se ato nuk pajtohen me politikat e mbrapshta dhe sjelljen e saj të papërgjegjshme. Dhe jo vetëm kohët e fundit, në gjysmë vitin e fundit kur Qeveria është në detyrë, por edhe kur ishte me mandat të plotë, në 4-vjeçarin e saj kushtetues’’ tha Hamiti.

Hamiti vazhdoi duke ironizuar me veprimet e Qeverisë.

“Çka thanë e çka bënë këta që janë në pushtet tash e 5 vjet? Çka thanë?” Ai kujton se në Programin e Qeverisë në maj të vitit 2021, ishte premtuar se: “Politika e jashtme e Republikës së Kosovës synon forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës (…) [Qeveria do të jetë] bashkëpunuese me aleatët e miqtë tanë – ShBA-të dhe vendet e BE-së (…). Qeveria e Republikës së Kosovës do të hapë dyer të reja. Ky orientim dhe besimi masiv qytetar kanë krijuar simpati dhe mbështetje të gjerë te partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës’’, potencoi Hamiti për FO.

Por, sipas tij, në realitet ndodhi krejt e kundërta.

“Nën udhëheqjen e tyre, Qeveria nuk hapi dyer, por mbylli dyer për Kosovën. Për fajin e saj, Kosova është nën sanksione të BE-së dhe të SHBA-ve. Qeveria nuk doli të jetë bashkëpunuese me aleatët e miqtë tanë – ShBA-të dhe vendet e BE-së. Prandaj, e sanksinuan Kosovën për fajin e Albin Kurtit dhe të atyre që janë rreshtuar me të” deklaron ish-ambasadori.

Hamiti thekson se Republika e Kosovës është nën regjim sanksionesh të ashpra të BE-së prej mesit të vitit 2023.

‘’Republika e Kosovës është nën regjim sanksionesh të ashpra të BE-së prej mesit të vitit 2023.  Nja 600-700 milionë euro i janë pezulluar Kosovës për fajin e Qeverisë së Albin Kurtit”, nënvizoi ai.

Ai kritikoi edhe situatën me SHBA-të.

“Sjelljet e Albin Kurtit, tash e gjashtë muaj kundërligjshëm në krye të Qeverisë (sepse është edhe deputet edhe kryeministër!), sollën edhe sanksione të SHBA-ve. Aleati ynë kryesor e pezulloi javën e kalur pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën për shkak të kësaj sjelleje”. shtoi ai.

Në lidhje me këtë, Hamiti përmend deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve të javës së kaluar.

‘’ Në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve thuhet se vendimi është marrë për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë, të cilat, sipas SHBA-së, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke e vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta’’ deklaroi tutje.

Ai po ashtu vë në dukje se zyrtarët e BE-së prej mesit të verës nuk e takojnë në hapësirat e Qeverisë së Kosovës deputetin Albin Kurti, liderin e VV-së.

‘’Zyrtarët e BE-së prej mesit të verës nuk e takojnë në hapësirat e Qeverisë së Kososvës deputetin Albin Kurti, liderin e VV-së. As deputetët e tjerë, kolegë të Kurtit, që qëndrojnë në poste qeveritare në kundërshtim me ligjet dhe me Kushtetutën e Kosovës. Kjo është gjendja e mjerueshme e Kosovës nën sundimin absolut të Albin Kurtit dhe të atyre që janë rreshtuar me të për të keqen e atdheut tonë. Krahasojeni gjendjen e mjerë të vendit tonë, sanksionimin nga BE-ja dhe SHBA-të, izolimin nga bota, korrupsionin masiv qeveritar dhe shkelejet serike të ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës nga Albin Kurti me shoqërinë e vet me programin e Qeverisë së Kosovës të pranverës së vitit 2021’’ potencoi Hamiti.

Ai i bën thirrje qytetarëve të krahasojnë sot me atë që ishte më 2021.

“Krahasojeni gjendjen e mjerë të vendit tonë, sanksionimin nga BE-ja dhe SHBA-të, izolimin nga bota, korrupsionin masiv qeveritar dhe shkelejet serike të ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës nga Albin Kurti me shoqërinë e vet me programin e Qeverisë së Kosovës të pranverës së vitit 2021”, pëfundoi Hamiti.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz