Kryeministri në detyrë Albin Kurti pas homazheve që bëri te varri i rreshterit të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku në përvjetorin e dytë të vrasjes së tij nga terroristët serb në Banjskë të Zveçanit, vlerësoi lartë heroizmin dhe përkushtimin e tij për ta mbrojtur vendin duke dalë i pari në përballje me terroristët serbë.
Kurti tha se “tash të gjithë ne bashkë jemi pjesë ta familjes Bunjaku, të bashkëshortes Lumnije të fëmijëve Arbenitës, Jetlumit e Fatlumit sepse Afrim Bunjaku i përket Kosovës dhe gjithë popullit që do ta mbajë për jetë e mot në zemrat e veta, këtë hero të Kosovës. Dua të theksoj edhe guximin e dyfishtë të Bunjakut, në njërën anë ia mësyu i pari bllokadës në Banjskë dhe këtë e bëri si një polic me përvojë që ishte edhe instruktor në Akademinë e Kosovës e shërbeu në stacionet e policisë në Mitrovicë e Vushtrri”, tha Kurti.
Ai deklaroi se Bunjaku ishte për 22 vjet polic, e prej 16 vjetë me gradë rreshter- e tani e ka gradën Hero i Kosovës, e vetmja gradë që s’i merret as atij e të gjithë të tjerëve të cilët e kanë këtë gradë sikurse edhe zyrtari tjetër policor i rënë në korrik të vitit 2011, Enver Zymberi.
“Por dua të theksoj se Afrim Bunjaku nuk lejoi që policët e tjerë me të rinj se ai, t’ia mësyjnë bllokadës së vendosur aty në rrugë e vendosur nga kamionët e grupit terrorist paramilitarë të Serbisë të udhëhequr nga Radojicq. Ai si polic me përvojë, të rinjt nuk i la të flijohen e të sakrifikohen para tij. Por guximi i tij u pasua me guximin e Alban Rashitit që aty mbeti i plagosur, por që sot është gjallë dhe i fortë në mesin tonë ashtu sikurse shteti i Kosovës e sikurse Mirsad Rashiti në breshëri të plumbave e nxori trupin e Afrim Bunjakut nga Banjska e Zvecanit”,deklaroi Kurti, transmeton lajmi.net.
Kryeministri në detyrë i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të mos e konsiderojë Serbinë shtet normal përderisa ajo nuk e dorëzon kriminelët e Serbisë të organizuar e të udhëhequr nga Milan Radojiçiq, e të financuar e të mbështetur nga Beogradi zyrtar e presidenti atje, Aleksandar Vuciq.
“Aktakuza përfshinë 45 persona e këta duhet t’i dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës, ku ka aktakuzë për ta e panumër fakte e argumente për përfshirjen e tyre në vrasjen e Afrim Bunjakut e në këtë sulm agresorë e terroristë të tyre.Duhet theksuar edhe faktin tjetër, që kjo është një betejë e fituar nga Policia e Kosovës për Kosovën e për qytetarët e Kosovës pa dallim.Aty u vranë terroristë, e terroristët e tjerë të tre janë në burgjet e Kosovës e në kërkojmë që edhe 45 të tjerët të vihen para drejtësisë në Kosovë e ku do të kenë gjykim të drejtë.Lavdi Afrim Bunjakut, e policëve të rënë në krye të detyrës e dëshmorëve të kombit tonë”./Lajmi.net/