Kryetari Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, para pak minutash ka folur për rezultatin e zgjedhjeve në Drenas. Sipas tij PDK-ja dhe kandidati i saj, Ramiz Lladrovci, kanë fituar në këto zgjedhje.
“Dje, Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidati ynë z. Ramiz Lladrovci, shënuan fitore në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit. I falënderoj dhe i uroj të gjithë votuesit e z. Lladrovci, të cilët rikonfirmuan sërish mbështetjen e fuqishme për vizionin dhe platformën tonë për Drenasin, në funksion të arritjes së synimeve të përbashkëta”, ka thënë Veseli.
Kryeparlamentari ka përgëzuar të gjithë qytetarët e Drenasit për kulturën e treguar në këto zgjedhje të parakohëshme.
“I përgëzoj të gjithë qytetarët e Komunës së Drenasit për mbarëvajtjen shembullore të procesit zgjedhor, përmes të cilit dëshmuan edhe një herë kulturën e lartë demokratike të kësaj zone. Kjo kulturë dhe ky nivel i lartë i përgjegjësisë qytetare e përcolli edhe gjithë periudhën e fushatës zgjedhore, andaj me të drejtë mund të thuhet se fituesi më i madh i zgjedhjeve të djeshme në Drenas, ishte vetë qytetari i kësaj komune. Këtë duhet ta respektojnë oponentët tanë politikë, edhe kur nuk u pëlqen rezultati”, ka shtuar Veseli.
Ai ka premtuar angazhim maksimal që edhe në votimet për balotazh të fitoj Ramiz Lladrovci.
“Unë e kam kuptuar drejt mesazhin e qytetarëve te Drenasit. Ky mesazh kërkon reflektimin tim të qartë dhe në pajtim me këtë, unë dhe PDK-ja do të angazhohemi bashkërisht, ashtu që fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe e z. Lladrovci të jetë fitore e vizionit të përbashkët me qytetarët e Drenasit. Verdikti i tyre do të jetë baza mbi të cilën do të ndërtohet edhe platforma qeverisëse e z. Lladrovci. Dhe jo vetëm në Drenas, por anekënd Republikës së Kosovës, vizioni i Partisë Demokratike të Kosovës do të ndërtohet bashkërisht me qytetarët dhe me votuesit tanë, duke i pasur në themelet e programit nevojat, kërkesat dhe aspiratat e tyre”, ka shtuar i pari PDK-së./Drenicapress.info/