Analistët politik kanë dhënë parashikimet e tyre se kush do ta fitoj Drenasin në balotazh. Derisa analisti Jon Leka beson se kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci i ka gjasat e mëdha që të fitoj në balotazh, të kundërtën e thotë analisti tjetër Faik Krasniqi.
Ai i ka thënë Gazetës Blic se kandidati i Nismës, Isa Xhemajlaj i ka gjasat më të mëdha që t’i fitoj këto zgjedhje.
“Ishte një garë ndërmjet të njëjtëve për primat brenda një fortese të izoluar nga bota. Bastioni arkaik nuk lejoi as kësaj radhe depërtimin e pluralizmit brenda. Prandaj nuk kuptoj hipotezat e shumë analistëve që thuan fitoj demokracia aty”, tha Jon Leka për Gazetën Blic.
Sipas tij, demokracia (demosi shumicë) ka fituar gjithmonë aty por pluralizmi në kontekstin e opsioneve nuk çau murret e kalasë. Dhe kjo shton ai, mbetet edhe mëtej shqetësuese.
“Një bastion konsiderohet i luhatur kur vërejmë se forma e votimit ndryshon, pra në këtë rast kur do të konstatonim se nuk do të zgjidhej odave këmbëkryq duke përvetësuar patriarkët e familjeve të mëdha në sajë të lidhjeve farefisnore, klanore duke pirë çaj, por ndryshe”, vlerëson Leka.
Sipas tij, kur shikojmë statistikat shohim se vetëm 12% e votave ka shkuar për opsione e 78% për persona të së njejtës mendësi dhe të njëjtës origjinë politike, gjë që nuk është indikator se në Drenas paska lëvizur kualiteti i demokracisë.
“NISMA është prodhim i armiqësimit ndërmjet primatëve të një tabori, të cilët sa ishin me të parët bashkëvepronin në të mirë e të keqe e pas ndarjes veprojnë me të njëjtat metoda si të parët vetëm nën një logo ndryshe. Me këtë dua të them se Drenasi nuk lëvizi pozitivisht në drejtim të kualitetit por u bë fushëbetejë primatësh të natyrës së njëjtë”, thotë ai për Gazetën Blic.
Leka ka parashikuar fituesin në balotazh.
“Do të fitojë Lladrovci në votimin e ardhshëm, ngase s’ka konkurrencë esenciale dhe ngase mund të ofrojë më shumë për patriarkët dhe klanet më të mëdha aty. Kjo do të ndodhë”, tha ai për Gazetën Blic.
Ndërkaq, Faik Krasnqiqi konsideron se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, gjatë fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Drenasit, patë deklaruar se kjo komunë do të jetë paralajmërim i fitoreve të mëdha të PDK-së, që do të përcillen në të gjitha komunat e tjera të Kosovës, në zgjedhjet e ardhshme nacionale.
“Por kështu nuk doli në zgjedhjet e mbajtura dje, ku për herë të parë në historinë e pasluftës do të ketë balotazh në komunën e Drenasit, kjo pasi që asnjëri nga gjashtë kandidatët nuk kanë arritur mbi 50 përqind të votave për kryetar të kësaj komune”, shton ai.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Drenas, sipas tij, ishin testi i parë për Kadri Veselin dhe PDK-në.
“Ishin një test edhe për zgjedhjet e ardhshme nacionale, kurdo që do të mbahen ato. Dorën në zemër, deri para disa muajve askush nuk do të kishte besuar që PDK-së do t’i rrezikohej fitorja në bastionin e tyre kryesor Drenasin, që tradicionalisht kanë votuar këtë parti, madje edhe deri me 90 përqind të votave”, tha ai.
Por, kjo çfarë ndodhi dje në Drenas, shton ai është si rezultat i ”Pronto” aferave të ndryshme dhe burgosjes së shumë vagabondëve të Drenicës.
Krasniqi ka parashikuar edhe fituesin e garës në Drenas.
“Duke mos e votuar kandidatin e PDK-së, Drenasi ka vendosur të ndryshoj dhe ky ndryshim do të vijë nëse në balotazh qytetarët e saj votojnë kandidatin e Nismës, kuptohet që kjo mund të arrihet vetëm me mbështetjen e partive të tjera”, thai ai për Gazetën Blic.
Ndryshe, në zgjedhjet e djeshme për kryetar të Drenasit, për herë të parë pas 16 vjetësh, PDK e ka humbur epërsinë që kishte, duke fituar pa balotazh. Më 1 janar, pritet të mbahet votimi për raundin e dytë, ku do të përballet kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci me atë të Nismës për Kosovën, Isa Xhemajlaj.