Kryetari i KBI-së ne Drenas,Valon Bequku uron muajin e Ramazanit!
Të nderuar bashkëqytetarë të Drenasit, motra e vëllezër,
Jam i nderuar dhe kam kënaqësinë, që në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas dhe në emrin tim, të ju uroj mbërritjen e muajit të bekuar të Ramazanit.
Në rrugëtimin tonë shpirtërorë, kemi rastin e veçantë të shfrytëzimit të dhuratës së Zotit tonë, për përmbushje të zemrave tona. Duke pasur shansin nëpërmjet agjërimit, ta shtojmë vetëdijen për shpirtin tonë, duke kultivuar sinqeritetin, bamirësinë e Dashurinë Hyjnore.
“Lexo!” është fjala e parë e zbritur nga Kurani, pikërisht në muajin Ramazan, e me këtë rast është shënjuar ky muaj i bekuar. Le të shënjojmë këto ditë të bekuara me lexim e reflektim, për ta ngritur veten në nivel më të lartë.
E agjërimi si proces na bën të reflektojmë, të bashkë-ndjejmë ndaj rrethit dhe shoqërisë në tërësi, në mënyrë që të shtojmë vëmendjen për kujdes ndaj të gjithëve. Duke filluar prej më të dashurve tanë, të afërmve dhe gjithë atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë, për t’ua lehtësuar jetesën dhe përmirësuar mirëqenien.
Ky është muaj i ftesës Hyjnore për falje, për pranim të lutjeve dhe adhurimeve, për fisnikërimin e shpirtit dhe lartësimin e zemrave, ashtu siç thotë Zoti në Kuran: “…kështu që të bëheni të devotshëm.”
Duke ju uruar përzemërsisht muajin e bekuar të Ramazanit, lus Allahu të ju dhuroj ju dhe familjeve tuaja, shoqërisë sonë, qytetit tonë dhe gjithë muslimanëve anë e mbanë begati e mirësi!
Valon Bequku
Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Drenas

