Visar Korenica, ish-deputet i Kosovës, ka komentuar publikimin e plotë të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Ai tha se përgjegjësia për respektimin e vendimit është e të gjithë deputetëve dhe kritikoi opozitën për mosvotimin e kandidatit të VV-së në seancat e kaluara.
“Unë nuk pres që VV-ja të bëjë shkelje të këtij vendimi. Përgjegjësia është e të gjithë deputetëve. Në seancat e kaluar opozita ka bërë gabim që nuk e votoi kandidatin e VV-së. I bëj thirrje të gjithë deputetëve të reflektojnë dhe të tregojnë përgjegjësinë e tyre politike”, tha Korenica.
Ai shtoi se më e mira do të ishte arritja e një marrëveshjeje politike për të dalë nga ky ngërç, duke respektuar gjithashtu udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Më e mirë do të ishte të kishte një marrëveshje politike. Gjykata gjithmonë e përmend këtë që të krijohet një marrëveshje dhe të dalim nga ky ngërç politik. Uroj që të mos kemi një shkelje të dytë të vendimit të Kushtetueses”, theksoi Korenica në teve1.
Ai gjithashtu paralajmëroi se seancat e ardhshme për zgjedhjen dhe konstituimin e Kuvendit nuk do të jenë të lehta.
“Mendoj që nuk do të kalohet lehtë as këto seanca për zgjedhjen dhe konstituimin e Kuvendit, por do të jetë e vështirë”, përfundoi Korenica.