Konjufca paralajmëron: Albulena Haxhiu mbetet kandidate për kryetare të Kuvendit

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se Albulena Haxhiu pritet të jetë sërish kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Konjufca deklaroi se megjithëse çështja ende nuk është diskutuar në parti, në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë pritet të merret vendimi zyrtar.
“Unë mendoj që kryetaren e Kuvendit tashmë e kemi vendosur, ajo është zonja Haxhiu. Dhe ma merr mendja që do jetë propozimi i njëjtë”- tha Konjufca para mediave.
Konjufca foli edhe për takimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me partitë opozitare, duke vlerësuar se LDK ka treguar më shumë gatishmëri për të tejkaluar ngërçin politik, ndërsa PDK ka mbetur në qëndrimet e saj të mëparshme. Sipas tij, mundësitë për një marrëveshje varen nga vullneti i partive për bashkëpunim.
“PDK më shumë qëndron në pozicione të cilat i kemi parë më moti, ato janë pozicione të vjetra që i kemi parë dhe u shprehën edhe në takim me Kryeministrin Kurti. Sa i përket LDK-së përshtypja jonë është që përkundër herave të kaluara, kësaj here ka vullnet më të madh për ta tejkaluar këtë moment në të cilin ndodhet Kosovë”- tha Konjufca.
Ai u shpreh se opsionet që dalin në tavolinë për marrëveshje, janë në përpjestim me vullnetin dhe sa më shumë ka gatishmëri për bashkëpunim rriten edhe opsionet për zgjidhje.

Lexo edheKjo është gjendja aktuale në pikat kufitare të Kosovës
“Qëllimi pas dhjetori ka qenë që gjithqysh me shku në zgjedhje. Partitë opozitare nuk shikonin gjë tjetër… Tash mbetet të shihen zhvillimet e brendshme në LDK. LDK e ka krejt autonominë e vet për me vendos për gjërat e saj të brendshme. Nuk jemi këtu as për t’i komentuar ato, as për të këshilluar gjë sepse LDK është parti që ekziston moti në Kosovë dhe besoj që dinë me i rregullu punët e veta”- tha Konjufca.
Ai tha se atij i është dukur se pas takimit të Kurtit me Osmanin e Abdixhikun, ka pasë tjetër natyrë diskutimi krahasuar me herët e kaluara.
“Kjo na ka bërë më optimist se një zgjidhje mund të gjendet së shpejti”- tha Konjufca.














