Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, pas votimit tha se pret që procesi zgjedhor të zhvillohet i qetë dhe pa incidente, duke vlerësuar se Kosova ka ndërtuar tashmë një traditë demokratike dhe zgjedhore.
Konjufca tha se merita kryesore për këtë, sipas tij, u takon qytetarëve të Kosovës, të cilët e mbajnë gjallë demokracinë përmes pjesëmarrjes në zgjedhje.
“Unë uroj që kjo ditë të shkojë e mbarë, e mirë, pa ndonjë eksces. Kosova tashmë ka krijuar një traditë të zgjedhjeve nacionale, një traditë të demokracisë e cila është konsoliduar përgjatë viteve. Për këtë, më meritorët janë vetë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët e shfrytëzoj rastin t’i falënderoj, sepse vetëm ata mund ta mbajnë gjallë demokracinë”, tha ai.
Ai tha se fushata zgjedhore ka kaluar qetë dhe se subjektet politike kanë pasur mundësi t’i prezantojnë programet dhe vizionet e tyre para qytetarëve.
“Fushata deri tash ka shkuar e qetë, këto 10 ditë që ishin të fushatës zyrtare zgjedhore. Partitë politike, subjektet patën rastin t’i shpalosin idetë e tyre, programet e tyre, vizionin e tyre për Kosovën. Në fund është vetëm populli, vetëm shoqëria, ajo që e legjitimon me votën e vet një pushtet politik. Kështu që unë uroj që në orën 7:00 të mbrëmjes ky proces të përmbyllet ashtu siç duhet. Fituese është Kosova në fund të fundit, sepse edhe më e rëndësishme se rezultati është nëse ne kemi arritur ta ndërtojmë një shtet me breza të tërë të cilët kanë kontribuar. Një shtet i cili e ka aftësinë, pavarësisht se sa të shpeshta janë zgjedhjet, t’i mbajë ato me një frymë të lartë demokratike, sepse në fund të fundit kjo është edhe vetë esenca e shtetit”, tha ai.
I pyetur lidhur me deklaratat e opozitës për autokraci, Konjufca tha se Kosova ka dëshmuar standard demokratik përmes rotacionit të pushtetit dhe organizimit të zgjedhjeve.
“Jo, kjo nuk është e vërtetë. Mendoj që nuk është mirë që as vetë të dielën, ditën e zgjedhjeve, të bëhen deklarata elektorale para mediave. Ju i keni të gjitha raportet ndërkombëtare dhe nëse e gjeni një raport ndërkombëtar ku Kosova cilësohet si autokraci, atëherë në rregull. Por kjo nuk është fare e vërtetë. Domethënë, në kuptimin e demokracisë mua më duket që Kosova ka bërë hapa të mëdhenj. Shikoni zgjedhjet, shikoni rotacionin e pushtetit, pa asnjë përdorim dhune, pa asnjë problem. Subjektet politike, nëse rezultatet fillojnë edhe dalin dhe kryhen deri në ora nëntë, në orën dhjetë, njëmbëdhjetë, faktikisht secili ia uron fituesit edhe ecim përpara. Qeveria mund të bëhet shumë shpejt, parlamenti mund të bëhet shumë shpejt, sepse kjo i përket vetë traditës së demokracisë. Dëgjoni, ka shtete të cilat nuk mund të dalin nga krizat, pikërisht për shkak që kanë autokraci. Kosova është krejt ndryshe”, tha ai.
Konjufca tha se verdiktin për debatet politike do ta japin qytetarët përmes votës.
“Populli e tregon tash kur të voton se kush ka fituar debatin”, tha ai.