Në sallën e Kuvendit të Komunës së Drenasit, përfaqësuesit e Komunës së Drenasit, kanë mbajtur tubimin e fundit me publikun për të raportuar punën një vjeçare për vitin 2016. Në këtë tubim merrnin pjesë, nënkryetari i Komunës, z. Arsim Haxhiu, drejtor të drejtorive komunale, anëtarë të Kuvendit, administratorët e fshatrave, përfaqësues të OJQ-ve dhe qytetarë të tjerë.
Në këtë tubim me qytetarët e Komunës, është diskutuar për aktivitet e Komunës të kryera për vitin 2016. Takimin e ka hapur zëdhënësi i Komunës, z. Bekim Dobra, ku ka treguar rendësin e këtij tubimi me publik dhe ka treguar se njoftimi është bërë me kohë sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe është publikuar në ueb faqe të Komunës, në rrjetin social, në objektin e Komunës, në vendet me të frekuentuara si dhe njoftimi është transmetuar për dhjetë ditë edhe në radio “Drenas”.
Pastaj punën një vjeçare e ka prezantuar nënkryetari i Komunës, z. Arsim Haxhiu. Ai para të pranishmëve ka thënë se gjatë vitit 2016 janë realizuar më se 117 projekte kapitale, kryesisht asfaltim të rrugëve në lagje, rregullim të kanalizimeve, ujësjellësve, mirëmbajtje të varrezave, zgjerim të shërbimeve për menaxhim të mbeturinave, projekte të cilat kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Jemi munduar që këtë vit të realizojmë të gjitha projektet që kanë qenë të planifikuara, dhe deri me sot janë realizuar thuajse të gjitha prej tyre. Drejtoria e Urbanizmit ka realizuar 67 projekte kapitale, e Arsimit 19, drejtorati për Shërbime Publike 15 projekte, e Shendetësisë 6 projekte, ajo për Kulturë Rini e Sport 4 projekte dhe 4 projekte të tjera kanë qenë të administratës. Kemi pasur edhe sfida ku nuk janë realizuar të gjitha kërkesat tuaja të pritshme, pasi që kjo ka ndikuar edhe në limitet buxhetore që ka Komuna, por jemi munduar të bëjmë me të mirën për qytetarët”, ka thënë nënkryetari Haxhiu.
Të pranishmit kanë shtruar pyetje për drejtoret e drejtorive komunale dhe kanë dhënë propozimet e sugjerimet e tyre për përfaqësuesit e zgjedhur komunal lidhur me realizmin e projekteve të planifikuara për vitin 2016 dhe ato projekte që janë të planifikuara për vitin e ardhshëm.