Hoti akuzon Qeverinë Kurti për dështim: Asnjë projekt s’ka përfunduar ende

Avdullah Hoti e ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për dështimë të vazhdueshme. Deputeti i LDK-së ka thënë se kjo Qeveri po e mashtron veten dhe publikun me buxhet të madh të planifikuar për investime kapitale.
Sipas Hotit ende asnjë projekt kapital i trashëguar nga qeveritë paraprake dhe të nisura para vitit 2021 nuk është realizuar.
“Kjo qeveri po e mashtron veten dhe publikun me buxhet të madh të planifikuar për investime kapitale. Shifrat e larta të buxhetit po përdoren vetëm për krekosje me rastin e miratimit të buxhetit në Kuvend. Kur po vjen koha për të raportuar në Kuvend për realizimin e buxhetit, asnjë anëtar i qeverisë nuk del para deputetëve dhe qytetarëve të përgjigjet për dështimet në realizimin e projekteve.
Në gjashtë vitet e fundit, realizimi i investimeve kapitale ka qenë tejet i ultë. Asnjë nga projektet e mëdha kapitale të trashëguara nga qeveritë paraprake dhe të nisura para vitit 2021 nuk është realizuar, përfshirë këtu autostradën e Gjilanit, rrugën për Pejë, rrugën për Mitrovicë, rrugën për Podujevë, rrugën Dollc-Gjakovë, rrugën Prizren-Gjakovë etj.
As projektet e premtuar nga kjo qeveri nuk janë realizuar, përfshirë këtu: rrugën dhe tunelin Prizren-Tetovë, hekurudhën Prishtinë-Durrës, aeroportin e Gjakovës, çerdhet për fëmijë, banesat sociale, digat për akumulime dhe projekte të tjera.
Kështu që, askush nuk beson më në shifrat e larta të investimeve kapitale të parapara në buxhetin e vitit 2027.
Realizimi i buxhetit për investime kapitale ka mbetur i ulët edhe pse procedurat e prokurimit janë kryer në shumë raste përmes negocimit, siç dëshmohet me qindra e mijëra tenderë njëburimorë apo me negocim.
Pasojat ekonomike dhe sociale nga mos-realizimi i projekteve kapitale po i bartim të gjithë. Kolonat e gjata nëpër rrugë në ndërtim e sipër tash e gjashtë vite po i kushtojnë secilit kohë dhe shpenzime. Mos-realizimi i investimeve kapitale e kanë lënë ekonominë e Kosovës pa qindra miliona euro në qarkullim, mjete që do të krijonin efekte zinxhirore pozitive në ekonomi” shkruan Hoti në reagim./Indeksonline/
Lexo edheDoktoresha në ditën e vrasjes së Maria Clara: Kur erdhi në QKMF ishte e vetëdijshme, mohoi kur u pyet nëse ishte hedhur vetë apo e ka shtyrë dikush





