Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, pritet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës gjatë kësaj jave. Burime të Periskopit brenda Kryesisë së Kuvendit, kanë thënë se seanca për demarkacionin mund të mbahet të mërkurën ose të premtën.
Para pak ditësh, liderë politik të vendit kanë thënë se seanca e demarkacionit do të mbahet këtë javë.
Ishte kryeparlamentari Kadri Veseli, ai që pati deklaruar se ‘gjatë javës së ardhshme (këtë javë v.j) do të ketë një seancë për demarkacionin.
‘Ka unitet, pavarësisht se ka pasur disa deklarime nga marrëveshja e fundit në mes të LDK’së dhe AAK’së. Unë besoj më shumë tek reflektimi që është te interesi i qytetarëve, Besoj te pjekuria politike e dy subjekteve dhe unë jam shumë i sigurt se brenda javës së ardhshme takimet të cilat do t’i kemi intensiv të gjithë bashkërisht do të tejkalojmë edhe një situatë të keqkuptimit. Ajo që është kryesore, mesazhi është ky: Jemi vonuar mjaft. Nuk është në interesin e qytetarëve që të vonohemi më tej”, pati deklaruar kryeparlamentari Veseli.
Ndërkohë, sot është raportuar në vazhdimësi, që seanca do të mbahet këtë javë.
Burime brenda Kryesisë së Kuvendit, i kanë thënë Periskopit se kjo seancë do të mbahet të mërkurën ose të premtën.
“Mendoj se të mërkurën ose të premten do të mbahet seanca për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin”, ka thënë burimi brenda Kuvendit të Kosovës, shkruan Periskopi.
Ndërkohë, Periskopi ka kërkuar një përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje pasi edhe vetë kryeministri Haradinaj, ditë më parë ka deklaruar se ‘çështja e demarkacionit do të përmbyllet shumë shpejt’.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë javën e kaluar se beson që këtë javë Demarkacioni do të kalojë në Kuvend. Kryeministri Haradinaj është në kontakt të vazhdueshëm me gjithë partnerët e koalicionit dhe me përfaqësuesit e partive të tjera parlamentare për t’i dhënë epilog çështjes së demarkacionit. Seancat, konkretisht caktimi i tyre bëhet nga Kuvendi”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës dhënë Periskopi.
Ndryshe, çështjen e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, e kanë komentuar sot edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit ëees Mitchell.
Gjatë një konferencë për media Thaçi dhe Mitchell kanë dhën mesazhin se ‘demarkacioni duhet të votohet pasi i hap perspektivën evropiane Kosovës’.
Thaçi ka dhënë një sinjal se po diskutohet edhe me Listën Serbe që të arrihet pajtueshmëria për votimin e demarkacionit.
“Shpresoj që partnerët e koalicionit janë duke punuar edhe me Listën Serbe që të përmbyllet çështja e demarkacionit”, ka deklaruar Thaçi./Periskopi/




